Transmetuar më 18-02-2021, 20:35

Adriatik Hadri, 36-vjeçari nga Prizreni, është gjetur fajtor nga hetimet në Suedi, për vrasjen e prindërve të tij në Prizren dhe pritet të dënohet.

Prokurori tha se para se të merret vendimi për të, se do të vlerësohet edhe shëndeti mendor i tij. Ai është deklaruar edhe për motivin që dyshohet ta ketë shtyrë Hadrin t’i vrasë prindërit.

Në fund të janarit të vitit të kaluar, vendi ishte tronditur nga një vrasje e dyfishtë që kishte ndodhur në Prizren.

Brenda shtëpisë së familjes Hadri në lagjen “Ortakoll”, ishin gjetur të vdekur Durim dhe Suada Hadri.

Ata kishin vite që jetonin e punonin në Suedi, ndërsa në Kosovë kishin ardhur për pushime.

Për vrasjen e tyre, i dyshuari i vetëm ishte djali i tyre Adriatiku, i cili kishte ikur nga Kosova, menjëherë pas ngjarjes. Ai ishte arrestuar nga autoritetet suedeze në mars të vitit të kaluar.

Një vit pas kësaj ngjarje të rëndë, hetimet ndaj 36-vjeçarit po shkojnë drejt mbylljes.

Prokurori i rastit në Suedi, Olof Calmvik, i tha Gazetës Express se gjykata ka gjetur se ai është fajtor për vrasjen e prindërve, por se do të vlerësohet edhe shëndeti i tij mendor para se gjykatësit të marrin vendimin.

“Gjykata ka gjetur se ai është fajtor për vrasjen e prindërve të vet dhe tani është duke iu vlerësuar shëndeti mendor para se ata (gjykata) të arrijë një vendim”, ka thënë Calmvik.

Ai është deklaruar edhe për motivet që dyshohet ta kenë shtyrë 36-vjeçarin për këtë veprim.

Dyshimet janë se një nga motivet kanë qenë paratë.

“Ne dyshojmë se të hollat kanë qenë një nga motivet, por do të doja të pres për vlerësimin mendor dhe vendimin para se të bëj ndonjë koment për këtë”, thuhet në përgjigjet e tij drejtuar gazetës.

Aktakuza ndaj Hadrit është ngritur më 15 janar të këtij viti. Procedura penale ndaj tij është transferuar para gati një viti muajsh në Suedi, për shkak të pamundësisë që ai të ekstradohet në Kosovë.

/a.m/NOA.al