“Nuk kishim as lek për bukë”, mesazhi prekës i Topallit pas vdekjes së nënës
Transmetuar më 19-02-2021, 10:49

Pak ditë pas vdekjes së nënës, ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka publikuar një mesazh prekës në rrjetet sociale.

Në një postim në “Facebook”, ku ka publikuar dhe një foto krah saj, Topalli shkruan se “nëna u kthye në shtëpinë e Zotit, e mua më la një trishtim të madh në zemër e një boshllëk të tmerrshëm”.

Ish-kryeparlamentarja, thotë se ka pasur një lidhje të fortë më mamanë e saj, duke e cilësuar atë një heroinë dhe një grua me kurajo të madhe.

Postimi i Jozefina Topallit

“Deshta me të dashtë!”

Të dashur miq

Familja ime dhe unë ju falënderoj me mirënjohje për mesazhet tuaja të afërta e ngushëlluese.

Jeta e nanës sime, ka qenë një kalvar kur ne ishim të vegjël, por unë asnjëherë nuk e kam dëgjuar atë të ankohej. Ishte një heroinë, por gjithmonë me buzë në gaz, besimtare dhe me kurajo të madhe.

Do na ndihmojë zoti thoshte, edhe kur nuk kishim asnjë lek , as për të blerë bukën thatë.

Ajo ishte themeli dhe kolona e shtëpisë.

Ishte modeli që gjithmone doja t’i afrohesha.

Ndodhte kur isha e vogël që të ndihesha e pasigurt dhe i kërkoja nanës të rrinte afër meje. Ajo më jepte dorën, pastaj me shtrëngonte me trupin e saj dhe aty unë isha më e sigurta në botë, më e mbrojtura dhe më e lumtura. Isha në krahët e nanës.

Ne ishim shumë të lidhura me njëra-tjetrën.

Në ditët e fundit ajo po përpiqej të thoshte diçka, që në fillim nuk e kuptova. Pastaj ajo me vështirësi e përsëriti: -“Deshta me të dashtë moj nanë”, me dorën që lëvizte me vështirësi drejt fytyrës sime.

Ai ishte perqafimi jonë i fundit.

Nana u kthye në shtëpinë e Zotit, e mua më la një trishtim të madh në zemër e një boshllëk të tmerrshëm.