Transmetuar më 19-02-2021, 11:32

Presidenti Ilir Meta i ka bërë edhe një herë apel qeverisë që të marrë masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen në masë të Covid 19 mes qytetarëve.

Në një konferencë për shtyp, ai tha se nuk ka një plan të qartë për mënyrën e furnizimit me vaksina dhe të menaxhimit të fushatës së vaksinimit që ka nisur në vend.

Meta akuzoi qeverinë se duke vepruar në këtë mënyrë, rrezikohet një katastrofë kombëtare.

“Që nga fillimi i pandemisë, nuk ka një plan të qartë për furnizimin e vendit me vaksina, duke rrezikuar një katastrofë pandemike. Plane të ndryshueshme dhe jo transparente për vaksinën nuk mund të jenë alibi për qytetarët, e infektuar dhe për ato që po humbin jetën, – tha Meta. – Duhet të zbatohen vetëm kriteret e moshës së vendosura ndërkombetarisht dhe jo klasifikim klasash politike dhe autoritetesh për të marrë vaksina, pasi kjo është diktaturë. Nuk mund të lihen më institucionet pa pajisjet e domosdoshme dhe barnat e domosdoshme për të luftuar këtë pandemi. Nuk mund të lihen qytetarët të përballen me çmimet marramendëse të testeve dhe për kurën e sëmundjes".

Sipas Metës, qeveria i ka lënë qytetarët në mëshirë të fatit, ndërkohë që numri i vdekjeve dhe infektimeve me Covid po rritet dita-ditës.

"Është koha për të rishikuar buxhetin e shtetit në mbështetje të sektorit të shëndetësisë dhe duke investuar në mënyrë konkrete tek përparësitë. Është për të ardhur keq, që për një vit janë injoruar kërkesat e presidentit dhe këshillit të sigurisë, por janë injoruar çdo kërkesë dhe sugjerim duke u politizuar, – vijoi Meta. – Nuk mund të fajësohet qeveria për pandeminë, por disa standarte mund t’i kishim në nivel me vendet e rajonit. Mbështetja më e madhe përveç shëndetësisë, duhet të shkonte për bizneset që janë dëmtuar dhe jo në mbështetje të koncesioneve. Tunelet imagjinare, presin por jo shëndeti i qytetëve”, ka thënë Meta. /e.a/noa.al/