Transmetuar më 20-02-2021, 17:14

Fitorja e Teutës në Selman Stërmasi përballë Tiranës u njollos nga dhuna në fundin e takimit.

Sapo përfundoi ndeshja, në tribunën qendrore plasi sherri, ndërmjet njerëzve të afërt me presidentin Refik Halili dhe familjarëve të portierit Stivi Frashëri.

Shkak janë bërë ofendimet ndaj portierit të Teutës, ndeshjen e të cilit nga tribuna e ndiqte edhe e fejuara, raporton A2.

Sikur kjo të mos mjaftonte, dhuna dhe grushtet u spostuan edhe në tunelin e dhomave të zhveshjes. Aty portieri Frashëri pati një debat me Grent Halilin, lojtarin e Tiranës, njëkohësisht edhe djalin e presidentit të klubit bardheblu.

Në këtë situatë tensioni, ku nuk munguan shkelmat dhe grushtet, u përshinë edhe pjesëtarë të tjerë të dy skuadrave. Për të rikthyer normalitetin ishte e nevojshme ndërhyrja e forcave të shumta të policisë, ndërsa tashmë priten masa të ashpra nga Komisioni i Disiplinës.