Transmetuar më 22-02-2021, 14:46

Opozita ka kërkuar që të shtyhet afati i vlefshmërisë për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike të cilat kanë skaduar.

Për këtë foli sot edhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili tha se asnjë qytetar nuk do mbetet pa votuar.

Ai tha se propozimi i opozitës po diskutohet.

“Pavarësisht nga gjithë përpjekja dhe puna që ne po bëjmë për të ndërgjegjësuar njerëzit për të aplikuar për rinoviminn e dokumentave të identitetit. Ne e kemi marrë kërkesën nga disa parti politike të cilat kërkojnë shtyrje të afatit të skadencës.

Po e shikoj me shumë vëmendje. Unë jam në kontakt edhe me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të parë dhe për të marrë edhe nga ata një opinion lidhur me këtë çështje. Sepse sigurisht do të lidhet me mënyrën se si do të aplikohet teknologjia në zgjedhjet e radhës.

Kështu që jemi në koordinim të plotë dhe unë mund t’i garantoj shqiptarët që askush nuk do të mbetet pa votuar për shkaqe që nuk varen nga vullneti i tyre”, tha Çuçi. /k.k/noa.al/