Transmetuar më 22-02-2021, 21:40

Në Shqipëri kanë mbërritur sot edhe 8190 doza të tjera të vaksinës së Pfizer. Kryeministri Edi Rama, siç e ka bërë traditë, ka shkuar në Rinas bashkë me dy ministra për të marrë në dorëzim dozat e reja.

Gjatë një konferencë nga Rinasi, zoti Rama tha se është në negociata me një shtet mik për 360 mijë doza të Astra Zeneca, ndërsa zbuloi se qeveria është në negociata edhe me dy shtete të tjera.

“Vazhdojmë përpjekjen me një shtet mik për 360 mijë doza të Astra Zeneca. Ndërkohë jemi në kontakt edhe më dy shtete të tjera për të bërë të mundur sigurimin e vaksinave, për të mos ndaluar tempin e vaksinimeve.

Do vaksinojmë popullatën brenda 14 muajve. Lufta për të siguruar vaksinat është shumë e fortë në të katër anët. Ne nuk hyjmë tek ata që dorëzohen. Më shpejt se vonë do të kemi lajme shumë të mira. Jemi në përfundim të vaksinimit të të gjithë të moshuarve në Shtëpitë e të Moshuarve.”, deklaroi zoti Rama.

Kryeminstri tha se nuk ka patur asnjë rast të shqetësimeve për personat e vaksinuar.