Transmetuar më 22-02-2021, 21:48

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar sonte mbi debatin nëse Shqipëria duhet të marrë apo jo vaksinat ruse dhe kineze duke pretenduar se Moska dhe Pekini nuk na i japin ato. Nga Rinasi, ku po priste dozat e radhës të vaksinave të Pfizer, zoti Rama tha se “vaksinat kineze dhe ruse nuk janë të lehta për t’u siguruar, pasi nuk gjenden në tezga”.

Kryeministri u shpreh se vendit tonë nuk i janë vënë në dispozicion vaksinat ruse dhe kineze dhe se qeveria nuk ka nisur negociata, pasi nuk ka indicie pozitive se këto vaksina mund të sigurohen lehtë.

"Në të gjitha rastet unë dua ta bëj shumë të qartë se ne nuk është se i kemi këto vaksina në dispozicion dhe ne po i refuzojmë. Por ne nuk do të hedhim hapa formalë në drejtim të këtyre dy burimeve, sepse jemi të vetëdijshëm që janë hapa që nuk kanë arsye objektive që të na çojnë në rezultat, nuk kemi indicie pozitive", tha z.Rama duke aluduar kështu se as Rusia dhe as Kina nuk japin dritën jeshile që në vendin tonë të vijnë vaksinat e tyre.

Rama pohoi se nuk ka shanse që të vërë në diskutim cilësinë e këtyre vaksinave: "Ne nuk kemi asnjë mundësi që të vëmë në diskutim integritetin dhe profesionalizimin e shkencëtarëve kinezë dhe rusë. Nga pikëpamja e vlerës nuk kemi asnjë dyshim dhe asnjë kontestim.

Por nga njëra anë janë të paaprovuara në nivelin e OBSH, nuk po i rrimë larg për këtë, por ne nuk mendojmë se duke qenë të linjëzuar krejtësisht me BE kemi ndonjë prioritet në radhën shumë të gjatë për vaksina. Nuk është çështje gjeopolitike në sensin banal të fjalës, por është një luftë politike në të gjithë planetin".

Misteret nuk kanë të mbaruar

Kryeministri Edi Rama tha sonte se përveç përpjekjes për të finalizuar marrëveshjen për 360 mijë doza të vaksinës Astrazeneca, po bëhen përpjekje me dy shtete të tjera për të shtuar sasinë e vaksinave, por nuk bëri të ditur së për kë vaksinë dhe për cilat vende bëhet fjalë.

Nga aeroporti Nënë Tereza ku priti mbërritjen e 8 mijë dozave të vaksinçs Pfizer, Rama tha se brenda marsit do bëhet lëvrimi i mbi 40 mijë dozave dhe brenda 14 muajve synohet të vaksinohet e gjithë popullata.

“Brenda marsit do të bëhet lëvrimi i sasisë së mbi 40 mijë dozave dhe vazhdojmë çdo ditë përpjekjen për të finalizuar një marrëveshjen me një shtet mik për një sasi 360 mijë dozash të Astrazeneca dhe jemi në komunikim intensiv dhe me dy shtete të tjera që të shtojmë sasinë e vaksinave dhe të mos kemi asnjë ndalim apo rënie të tempit, përkundrazi të rrisim tempin progresisvisht me objektivin që të vaksinojmë të gjithë popullatën brenda 14 muajve.

Është objektiv ambicioz për faktin se çdo ditë lufta për të siguruar doza vaksinash është e fortë dhe sasitë në raport me kërkesat mbeten të vogla. Ne nuk hyjmë te ata që dorëzohem dhe kam besim që së shpejti do të kemi lajme shumë të mira”.