Covid / Vaksinohet doktor Brataj, ministrja: Mua kur të më vijë radha (Video)
Transmetuar më 23-02-2021, 11:04

Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka qenë i pari që është vaksinuar me dozën e parë anti-Covid nga stafi i tij në QSUT.

Procesi i vaksinimit të stafeve mjekësore është ndjekur nga afër edhe nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Vaksina të siguron mbrojtje, do presim edhe 21 ditët që të bëjmë dozën e dytë. Por midis këtyre dy vaksinave duhet të vijojmë të ruhemi”, tha Brataj.

Manastirliu deklaroi se po vijohen intensivisht me vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve në të gjithë vendin dhe ditën e sotme janë planifikuar 500 vaksinime vetëm në sh-stadiumin kombëtar "Qemal Stafa".

Në një bashkëbisedim me doktor Bratajn, Manastirliu e uron për administrimin e dozës së parë dhe pohon se ajo do të vaksinohet "kur të më vijë radha".

“Po vijojmë intensivisht me të gjithë ekipet tona. Po përfundon QSUT, Urgjenca Kombëtare, spitali Dibrës, Krujës, ndërkohë që vijon vaksinimi edhe për të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve. Jemi në një moment pune intensive”, tha Manastirliu.

Fushata e vaksinimit në vend kundër Covid 19 ka nisur prej një muaji, ku fillimisht kanë marrë ilaçin mjekët e spitaleve infektive, infermierët, punonjësit shëndetësorë, të moshuarit në azile dhe të moshuarit personalitete publike, mbi 80 vjeç. /e.a/noa.al/