Transmetuar më 24-02-2021, 12:27

Të nderuar lexues ju ftojmë të ndiqni një intervistë me Dr. Aurora Dollenberg, mjeke e përgjithshme, mjeke familjeje dhe e specializuar po ashtu si mjeke e shërbimit të urgjencës, si dhe specialiste e Psikoterapisë. Zonja Dollenberg jeton dhe ushtron aktivitetin profesional mjekësor në Gjermani nga ku përmes komunikimit online u përgjigj për shumë çështje të mprehta që lidhen me situatën pandemike si pasojë e koronavirusit të ri Covid-19.

1-NOA.AL: E nderuar doktoreshë. Dua ta nisim këtë bisedë kushtuar totalisht pandemisë, me një zhvillim të fundit. Në Gjermani u publikua një studim i cili evidenton se koronavirusi Covid-19 doli aksidentalisht nga laboratori në Wuhan të Kinës. Si është pritur ky studim? Dhe, si e shihni ju këtë tezë që nuk është hera e parë që flitet në media?

Teoritë e konspiracionit janë të ndryshme, ne si mjekë e kemi për detyrë të mjekojmë pacientët e infektuar. Duke u bazuar në këtë studim që COVID-19 ka ardhur nga Laboratori i Wuhanit do të thoja si mjeke se është e mundshme dhe nga dijet që kemi për mikrobiologjikën, një virus i tillë mund të krijohet edhe në laborator.

2-Në Gjermani ku ju jetoni dhe ushtroni aktivitetin tuaj si mjeke, prej kohësh ka një lockdown të fortë edhe pse jo si i pranverës së kaluar. Cilat janë efektet e kësaj karantine?

Karantina që po përjetojmë në Gjermani që në dhjetor është shumë e fortë, edhe se ajo që patëm një vit më parë dhe kjo i detyrohet rritjes së vazhdueshme të të infektuarve dhe faktit që masat e marra deri tani nuk ishin të mjaftueshme për të frenuar këtë pandemi. Urojmë që në fillim të prillit lockdown të ndërpritet dhe jeta t’i rikthehet normalitetit.

3-Si po përjetohet në popullatë kjo valë kufizimesh, a ka më protesta?

Kjo valë kufizimesh ka rritur pakënaqësitë duke shkuar deri në protesta në rrugë ku qytetarët shprehin pakënaqësinë e tyre. Një pjesë shumë e madhe e popullatës është dakord me masat e marra pasi mendojnë që jeta e tyre duhet të ruhet dhe këtë përgjegjësi duhet ta ketë çdo qytetar.

4-Megjithëse flitet për efekt reduktues të karantinës, fakt është që muajt e fundit në Gjermani janë shumëfishuar vdekjet me Covid-19. Çfarë ndodhi që Gjermania nuk përsëriti suksesin e valës së parë?

Kjo i bashkëngjitet shumë faktorëve. Njerëz nuk i zbatuan shumë mirë protokollet shëndetësore sidomos të rinjtë, por edhe të rriturit duke çuar kështu në një rritje shumë të lartë të infektimeve. Pra Gjermania nuk ka më suksesin e vitit të parë sepse popullata nuk është më e displinuar si vitin e kaluar pasi ndihen të lodhur për shkak të masave të gjata shtrënguese.

5-Si po ecën vaksinimi në Gjermani? 

Vaksinimi në Gjermani po ecën me hapa të ngadalta, por të sigurta. Deri tani kemi arritur vaksinimin e 2% të popullatës në të gjitha qendrat e vaksinimit.

6-A ka individë që refuzojnë të vaksinohen?

Njerëz të cilët e refuzojnë vaksinimin janë të shumtë pasi janë dyshues për pasojat dhe efektet anësore që mund të ketë vaksina dhe presin te shohin se si po reagojnë ata që po vaksinohen.

7-Doza e dytë e vaksinës po kërkohet nga shkencëtarët që të jepet pas disa muajsh ndonëse prodhuesit thonë për 21 ditë. Ju si mendoni?

Doza e dytë duhet të jepet një muaj pas dozës së parë dhe është e domosdoshme për të prodhuar antitrupat mbrojtës. Doza e dytë vulos imunintetin që duhet të kemi nga COVID-19.

8-Një pyetje e fundit për zhvillimet tek ju. Si po i përgjigjet shteti qytetarëve dhe bizneseve, si po zhdëmtimin apo mbështeten ata?

Qytetarët dhe bizneset janë të gjithë të frustruar nga pandemia dhe nga ky kufizim i tejzgjatur. Qeveria po përpiqet t’i ndihmojë në pjesën ekonomike duke subvencionuar bizneset. Ndërsa po mbështet edhe qytetarët financiarisht.

9-Ndërkohë në Shqipëri nuk ka kufizime, edhe ato pak, janë vetëm për orët e natës. Gjatë gjithë kësaj kohe, lokalet, bizneset dhe çdo lloj shërbimi tjetër vazhdon normalisht. Edhe shkollat parauniversitare. Disa këtu thonë se kjo është e gabuar. Ju si mendoni?

Në Shqipëri kufizimet janë më të pakta,  vetem me orare të caktuara të natës kurse në Gjermani kemi një kufizim të përhershëm gjatë gjithë ditës dhe natës. Edhe nëse largohemi më shumë se 15 km nga vendbanimi duhet të kemi një arsye pune ose një justifikim shumë të fortë. Arsimi parauniversitar është online me Homescholing. Sepse këto mosha janë kategori që nuk ruhet shumë dhe rrezikon që situata të dalë jashtë kontrollit.

10-Ndërsa Europa, ka kufizuar lëvizjen e lirë, madhe dhe brenda BE kërkohen karantinim dhe testim paraprak, në Shqipëri mund të hyjë e dalë lirisht kushdo. Sa ndikon kjo në përhapjen e infeksionit Covid-19?

Gjithë Europa po aplikon kontrolle të shumta të lëvizjes së njerëzve, ndryshe nga Shqipëria ku lëvizja nuk kontrollohet. Kjo është e gabuar. Shqipëria nuk duhet të veprojë ndryshe nga vendet e përparuara sepse rezultatet e kesaj sjelljeje do të jenë shumë të rënda në javët që do të vijnë, pasi do të rritet me shpejtësi numri i të infektuarve, sidomos me mutacionin e ri që do të çojë në një kaos të vërtetë. Këshilla ime si mjeke dhe mendimi po ashtu i shumë kolegeve të tjerë të Federatës Shqiptare në Evropë është që karantina është e domosdoshme edhe për Shqipërinë.

11-Përse po ndodh sipas jush që Shqipëria ka vdekshmëri të lartë të të infektuarve, krahasuar me vendet e BE, madje me shtim të viktimave në moshë të re. A ka lidhje me trajtimin mjekësor, protokollin e mjekimit apo faktorë të tjerë?

Vdekshmëria shumë e lartë në Shqipëri është e lidhur patjetër edhe me mënyrën e trajtimit të Covidit, si dhe të gjitha masave që merren si në ambjentet ambulatore dhe ato spitalore. Nëse trajtimi që në fillim nuk është i saktë, nëse medikamentet që jepen nuk janë të mirëpërcaktuara nga mjekët dhe nuk përdoren me përpikmëri nga pacientët atëherë vdekshmëria është më e lartë.

12-Sa ndikon psikoterapia tek të sëmurët me Covid-19?

Psikoterapia në këtë pandemi ka një rol shumë primar pasi sistemi imunitar tek njerëzit që kanë vuajtur dhe po vuajnë karantinë dhe kufizime, është shumë i dobësuar ndaj është detyrë e psikiatrëve dhe psikologëve që të forcojnë gjendjen psikike të pacientëve në mënyrë të tillë që trupi ta përballojë më mirë konfrontimin me situatën dhe me këtë virus.

13-Pediatria në Tiranë njoftoi se 80 për qind e shtretërve janë zënë nga fëmijë të infektuar me Covid-19, si kurrë në 9 muajt e parë të pandemisë. Çfarë po ndodh që po infektohen kaq shumë të mitur?

Fakti që 80% e shtretërve janë të zënë me fëmijë të infektuar me COVID-19, vjen sepse edhe kujdesi që është treguar për të mbajtur fëmijët larg rrezikut ka qenë shumë i ulët, prandaj domosdoshmëria për të mbyllur shkollat shikohet edhe nga këto shifra shumë dramatike. Duhet izolim, madje sa më i shpejtë edhe për fëmijët dhe për të rinjtë, në mënyrë që kjo pandemi mos të bëhet edhe më fatale seç ka filluar të jetë.

14-A mund të themi se tanimë gjërat kanë ndryshuar dhe ky virus rrezikon edhe fëmijët e të rinjtë dhe nëse po deri ku shkon ky rrezik krahasuar me moshat e thyera?

Mund të themi që virusi ka filluar të prekë fëmijët, gratë shtatzëna dhe të rinjtë, pra të gjitha ato kategori që deri tani kanë qenë më të mbrojtur nga ana gjenetike. Por jo më, sepse mutacionet gjenetike e kanë ndryshuar sjelljen e virusit dhe tashmë ka ndryshuar edhe objektivi i virusit. Kjo tregon se sa më gjatë të qarkullojë virusi në popullatë aq më gjate mund të kemi sjellje dhe surpriza negative prej virusit.

15-Dua t’ju bëj dhe disa pyetje të shkurtra sepse njerëzit janë konfuzë? Me apo pa maskë në mjedise të hapura ku distanca 2 metra mund të ruhet?

Së pari, njerëzit janë me të vërtetë konfuzë.  Ata po përballen me gjendje depresive dhe sëmundje psikike të cilat i kanë pasur inaktive dhe janë aktivizuar nga kjo pandemi. Nisur nga kjo, sëmundjet psikike janë bërë çështje dite. Numri i vetëvrasjeve dhe atyre të shtruar në spitale psikiatrike është në rritje. Mund të themi se jemi në alarm sa i përket depresionit masiv në popullatë.

Lidhur me maskat, patjetër që distanca prej dy metrash duhet të ruhet pavarësisht maskës ose jo.

16-Një apo dy maska në mjedise të mbyllura apo të populluara?

Në ambientet e mbylluara, por sidomos edhe ato të populluara si transporti me autobusë ose në rrugët ku ka shumë lëvizje duhet me patjetër të mbahet një maskë kirurgjikale ose një maskë që është me filtra sepse rreziku i infektimit është më i lartë.

17-Sa për qind mbron maska?

Maska mbron deri në 70 % që do të thotë se ata që mbajnë maskën kanë mundësi të infektohen 70 % më pak se ata që nuk e mbajnë ndaj maska është një domosdoshmëri që do të na shoqërojë edhe këtë vit.

18-Sa kohë duhet që një person të injektojë një tjetër duke mos ruajtur distancë?

Një person që nuk ruan distancën infekton tjetrin brenda disa orëve. Kështu, nëse partikulat e ajrit mbajnë virusin, ai do të transmetohet në fytyren ose direkt në rrugët e frymëmarrjes të personit tjetër dhe që të nesërmen personi fillon të shfaqë shenjat e para të infeksionit, sidomos nëse ka edhe një dobësi imunitare ndaj COVID-19.

19-Pse shpesh në një familje një apo disa nuk infektohen?

Brenda një familjeje ndodh që një pjesëtar të jetë pozitiv dhe të tjerë negativë. Kjo shpjegohet me afinitetin gjenetik që ka çdo individ ndaj COVID-19. Pra disa kanë dobësi gjenetike, të tjerë kanë rezistencë të lindur kundër këtij infeksioni dhe nuk shfaqin asnjë lloj simtome ose madje dhe nuk infektohen.

20-Pse po vdesin më shumë meshkuj se femra?

Sepse femrat, është vërtetuar që kanë një mbrojtje hormonale estrogjeni dhe progesteroni të cilat janë shumë të rritura tek gratë sidomos ato shtatzëna dhe ato që nuk kanë kaluar në menopauzë. Këto elementë mbrojnë sistemin imunitar dhe rrisin forcën rezistuese ndaj COVID-19 ndaj dhe vdekshmëria e tyre është më e ulët.

21-A ka njerëz që e kalojnë tërësisht pa simptoma dhe nëse po, pse?

Ka edhe njerëz që e kalojnë komplet pa simptoma sepse sistemi i tyre imunitar ka antitrupa të fortë dhe të shumtë në sasi që në fillim duke e kufizuar infeksionin pa arritur që COVID-19 të shfaqë simtoma apo ta kufizojë trupin në një formë ose në një tjetër kështu që këta persona kanë fatin e mirë që të kenë gjenet e duhuhra.

22-Sa është përqindja e riinfektimit deri tani nëpër botë?

Përqindja e riifektimit në botë për fat të mirë rezulton e ulët. Megjithatë në bazë të të dhënave të te fundit statistikore del se shkon deri në 10% riinfektimi në të gjithë boten.

23-Së fundi, kur mendoni se do të marrë fund kjo pandemi? A mund të themi se koha prej 1.5 vjet deri 2 që zgjati gripi spanjoll e viruse të tjera të përhapura globalisht është e njëjtë edhe për Covid-19?

Kjo pandemi do të marrë fund në momentin që 60 % – 70 % e popullatës së çdo shteti do të jetë e vaksinuar. Në atë moment kemi të drejtë në mënyrë zyrtare të dalim nga karantina dhe ti rikthehemi jetës normale. Kjo eksperiencë është vërtetuar në viruset e tjera si p.sh tek gripi spanjoll ku ka patur një numër shumë të madh vdekjesh,  por në momentin që u arrit imuniteti i tufës, mori fund.

Ju faleminderit.

Të nderuar lexues, sidomos ata që jetojnë në Gjermani, nëse dëshironi të komunikoni drejtpërdrejt me dr. Aurora Dollenberg, ajo bën të mundur vizita dhe diagnostifikime në klinikën Dollenberg. Për më shumë informacion mund të klikoni këtu: https://www.praxis-dollenberg.de/