Transmetuar më 24-02-2021, 08:24

Situata në burgjet e Ekuadorit është kritike. Ka qenë në fakt për të paktën dy vjet, por këtë herë niveli i dhunës së brendshme doli jashtë kontrollit.

Të paktën 75 të burgosur vdiqën dhe tetë u plagosën në një seri trazirash të njëkohshme në tre burgje në vend. Presidenti Lenín Moreno siguroi se prapa konfrontimeve midis të burgosurve ka "organizata kriminale".

Edhe policia e Ekuadorit konfirmoi se më shumë se 75 të burgosur kanë humbur jetën si rezultat i trazirave që shpërthyen në tre burgje në vend.

Sipas raporteve nga faqja e internetit e së përditshmes ‘El Comercio’, viktimat kanë vdekur në disa episode të regjistruara në qendrat e burgjeve të Guayaquil, El Turi dhe Cotopaxi.

Policia theksoi se "situata po trajtohet" në burgje. Oficerët e policisë po kryejnë operacione për të rivendosur normalitetin, ndërsa ushtria ruan hapësirat e jashtme të strukturave.

Drejtori i Sistemit Penitenciar, Edmundo Moncayo, ia atribuoi përshkallëzimin e dhunës një lufte për pushtet midis dy bandave, e përkeqësuar pas vrasjes së një prej drejtuesve të tyre pasi rifitoi lirinë.

“Ekziston një organizatë tjetër kriminale që bashkon forcat për të marrë udhëheqjen e lënë nga një qytetar, i cili u vra në dhjetor. Ne prisnim veprime të menjëhershme, por ato janë vonuar dhe kjo ajo që ka ndodhur sot. Dy grupe që përpiqen të gjejnë udhëheqje kriminale brenda qendrave të paraburgimit", – tha Moncayo në një konferencë shtypi të martën pasdite.

Kujtojmë që në Ekuador ka edhe disa të burgosur shqiptarë, të cilët janë dënuar nga autoritetet ekuadoriane me akuzën e trafikut të drogës, vrasje dhe organizata kriminale. /e.a/noa.al/