Transmetuar më 24-02-2021, 13:54

Presidenti Ilir Meta ka kthyer ligjin që zgjat afatin e koncesionit të aeroportit "Nënë Tereza" për 13 vjet.

Në një konferencë për shtyp, ai ka denoncuar vendimet e qeverisë dhe të Kuvendit për ligjin për aeroportin e Rinasit, duke e cilësuar si anti-Kushtetues.

Ai tha se se këto procedura nuk janë në përputhje me atë që parashikon ligji, duke theksuar se nuk është publikuar kontrata shtesë me qëllim fshehjen e procesit.

Meta shtoi se dy qeveritarë kanë nënshkruar kontratën shtesë te një noter në Bashkinë e Kamzës.

"Kontrata shmang konkurrencën e lirë dhe përfshirjen e operatorëve të tjerë për konkurrencë të lirë", – shtoi Meta.

“Do të bëj me dije disa nga shkeljet e këtij aseti në lidhje me shkeljet që janë bërë. Propozimi i ligjit është bërë me 27 janar, ku dhe pse nuk ka pasur asnjë procedurë të përshpejtuar, është futur në fuqi. Një marrëveshje që është nënshkruar dhe hartuar mes qeverisë dhe koncesionarit dhe brenda një dite është bërë miratimi i kësaj marrëveshje kaq të rëndësishme, ndërsa komisioni i ligjeve e ka shqyrtuar me katër shkurt dhe miratim në seancë plenare me 8 shkurt, ju e shikoni se me çfarë urgjence është miratuar ky ligj".

Sipas Metës, "kjo është një marrëveshje e bërë me nxitim që zgjat afatin e aeroportit të Rinasit. Sot kanë mbetur tre vite nga kjo kontratë dhe qeveria pa asnjë marrëveshje, i ka shtuar edhe 13 vite tjera kësaj kontrate. Pa pritur dhe pa hapur asnjë garë”, tha ndër të tjera Meta. /e.a/noa.al/