Transmetuar më 24-02-2021, 15:28

Partia Socialiste i ka hapur rrugë kandidimit, nën siglën e kësaj partie, të disa prej deputetëve aktualë të opozitës parlamentare.

Deri me tani, prej ‘blerjeve’ të fundit të PS-së në garën e 25 prillit janë konfirmuar tre kandidatë, të cilët vijnë dy nga LSI dhe një nga PDIU.

Ndërkohë mësohet se negociatat aktualisht vijojnë edhe me 2 deputetë te tjerë nga grupi parlamentar demokrat.

Lajmin e bëri të ditur TCH, teksa i referohet burimeve nga PS-ja.

Deputetja e Dibrës nga radhët e PDIU-s Reme Lala do të jetë në listën e PS në Tiranë.

Ajo disa ditë më parë ka marrë pjesë në mbledhjen e kandidatëve për deputet të qarkut Tiranë në selinë rozë. Edhe Edmond Rrushi, që hyri në parlament nga listat e LSI ka qenë pjesë në këtë mbledhje duke konfirmuar kështu një vend në listën e PS Tiranë.

Ylli Shehu është një tjetër deputet i LSI, i cili do t’i bashkohet PS por konfirmimin e tij duhet ta bëjnë drejtuesit e PS-së.

Ediola Brahaj, deputete nga lista e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ishte ndër të parat që po bën  fushatë elektorale aktive në krah të Bledi Çuçit, drejtues politik i PS-së në Gjirokastër.

Sa i përket “merkatos” para zgjedhjeve, siç është raportuar nga TCH, PS është në negociata edhe me dy deputetë nga Grupi Parlamentar Demokrat të cilët janë Alban Zeneli dhe Halit Valteri. Edhe këta të fundit  në zgjedhjet e vitit 2017 ishin kandidatë në listat e Partisë Demokratike.

Deputetë të shumtë të asaj që konsiderohej deri më sot si opozita e re, të cilët uk iu bindën urdhërit të PD-së dhe LSI, duke u futur në Kuvend, duket se po shohin si mundësinë më të mirë për të vazhduar karrierën politike, bashkimin me PS-në.

/a.m/NOA.al