Transmetuar më 24-02-2021, 16:43

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë i ka dorëzuar sot gjyqtarit Ardian Dvorani çertifikatën e çmimit Kampion Kundër Korrupsionit, shpallur dje nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

DASH vlerësoi me çmim special ish kreun e  KED, pavarësisht përplasjeve të forta që ai pati me Presidentin, Ilir Meta.

Ambasada e SHBA-së e ka cilësuar dorëzimin e cerfifikatës edhe si “Foto e Ditës”.

Postimi i plotë i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë:  

“Foto e Ditës. Sot, gjyqtari Ardian Dvorani mori certifikatën e tij të çmimit Kampion Kundër Korrupsionit, shpallur dje nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken. Nëpërmjet këtij Çmimi të sapokrijuar, Departamenti i Shtetit vlerësoi punën e guximshme të 12 avokatëve të luftës kundër korrupsionit nga e gjithë bota, përkushtimi i të cilëve për të mbrojtur transparencën, luftuar korrupsionin dhe siguruar llogaridhënie, ka mbrojtur bashkëqytetarët e tyre dhe ka ekspozuar keqbërjen”. G

“Gjyqtari Ardian Dvorani nga Shqipëria ishte një prej këtyre kampionëve. Departamenti i Shtetit e vlerësoi Dvoranin për punën e tij në zhvillimin e mekanizmave për të zvogëluar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë. Urime Ardian Dvoranit për përzgjedhjen si një Kampion Kundër Korrupsionit!”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë./a.m/NOA.al