Transmetuar më 24-02-2021, 21:51

Partia Demokratike ka vendosur të dalë me një koalicion 14 partish në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, grupim ku mungon Lëvizja Socialiste për Integrim e cila njoftoi se do të dalë më vete në këtë proces elektoral edhe pse bën pjesë në koalicionin qeveritar.

PD-Aleanca për Ndryshim do të quhet koalicioni i cili deri në mesnatë duhet të dorëzohet zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, raporton noa.al.

Në përpjekje për të masivizuar votat dhe duke ndjekur të njëjtën strategji që ndoqi Rama më 2013, Basha po mbledh rreth vetes shumë parti të vogla.

Në to përfshihen edhe parti, krerët e të cilëve janë të të njohur për sulme të vazhdueshme ndaj kreut demokrat Basha.

Sakaq, veç Aleancës për Ndryshim që drejtohet nga Basha, në KQZ janë regjistruar dhe një tufë me parti dhe koalicione të tjera që mbajnë po ashtu parashtesën Aleanca.

Në proceset e kaluara zgjedhore ka ndodhur shpesh që votuesit të ngatërrohen me emërtesat gati të njëjta të bëra qëllimisht nga disa parti inekzistente, fenomen që mund të përsëritet edhe më 25 prill.

Noa mëson se në KQZ janë regjistruar të paktën 5 "Aleanca…" të tjera ku bëjnë pjesë parti më së shumti të panjohur që shfaqen vetëm për zgjedhje.