Transmetuar më 24-02-2021, 22:39

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim konfirmojnë se ende janë në koalicion kundër Ramës, por ndryshe do të jetë në fletët e votimit.

Për shkak edhe të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, dy partitë kryesore të opozitës kanë zgjedhur që të operojnë përmes një skenari që do të maksimalizojë votën e tyre.

Por pse po bëhet kjo. Mësohet se ky është një vendim i përbashkët bashkë me LSI, duke parë sondazhet, rezultatet zgjedhore, vlerësimet në terren.

PD dhe LSI pasi shqyrtuan këto faktorë arritën në konkluzionin që maksimizojnë votën duke dalë me lista të veçanta, paçka se në disa qarqe mund të dalin me lista të përbashkëta.

PD thotë se dalja veçmas është në interes të maksimizimit të votave. PD me aleatët tradicionalë dhe LSI me siglën e saj shpresojnë të marrin më shumë vota, por në disa qarqe mund të dalin bashkë me LSI.

"Jemi dy parti të ndryshme, ne qendra e djathtë, LSI qendra e majtë, u vu re që maksimizohej vota duke ruajtur identitetin e siglave”, thotë Aldo Bumçi nga PD.

Sipas tij, kjo formulë e zgjedhur do ketë sinergji dhe do të sigurojë që të mos ketë humbje vote.

Basha me Kryemadhin kanë zgjedhur që të kandidojnë me lista të ndryshme në 9 qarqe të vendit dhe me një listë në 3 qarqe të tjera.

Por si ndahen qarqet?

Konkretisht në qarqet e mëdha, siç janë Tirana, Durrësi, Elbasani,  Korça, Fieri, Lezha, Shkodra, Berati dhe Vlora,  PD dhe LSI do të garojnë secila me listën e vetë. LSI pretendon të nxjerë deputetë në këto qarqe prandaj edhe ka zgjedhur që të dalë e vetme, ndërsa sipas Abc ka edhe mbështetjen e PSD-së së Paskal Milos.

Ndërkohë, PD dhe LSI do të garojnë me një listë në qarkun e Dibrës, Kukësit dhe Gjirokastrës, ku LSI ka një numër të vogël votuesish. Partia e Kryemadhit ka nxjerrë deputetë edhe në Gjirokastër edhe në Dibër. Gjithsesi mësohet se LSI pritet të nxjerrë edhe një listë fiktive për këto 3 qarqe, e cila do të ketë vetëm efekt ligjor dhe elektoral, pasi fushata do të bëhet duke ftuar kuksianët, dibranët dhe gjirokastritët, që të votohet kandidati i LSI në listën e PD-së.

PD, koalicion me 14 parti

“Aleanca për Ndryshim” është emri i koalicionit të opozitës që drejtohet nga Partia Demokratike. Ai ka në përbërje 14 parti. Koalicioni përbëhet nga PD, PR, PDIU, LZHK, PBDNJ, PAA dhe disa parti më të vogla.