Transmetuar më 26-02-2021, 13:18

Gjykata e Tiranës, ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për Gjergj Cukalin, i akuzuar si porositësi i vendosjes së lëndës eksplozive dy javë më parë në makinën e Gjon Menës në Kamzë.

I njohur ndryshe si i "forti" i rrugës "Myslym Shyri" në kryeqytet, ai akuzohet se ka ‘punësuar’ dy vëllezërit Edmond dhe Enver Jakimi, për t’i vendosur eksploziv poshtë makinës, biznesmenit Gjon Mena.

Po ashtu, 42-vjeçari, akuzohet për veprat penale “tentativë vrasjeje kryer në bashkëpunim”, “mbajtje eksplozivi”, “sigurim mjetesh për kryerje vrasjeje kundrejt pagesës”.

Në fakt, Cukali, i arrestuar  pak ditë më parë, ka mohuar përfshirjen e tij në atentatin ndaj Menës, duke theksuar se nuk ka njohje me të.

“Nuk kam fare lidhje me ngjarjen. Nuk e njoh Gjon Menën. Nuk e kam parë kurrë atë person”, – mësohet të jetë shprehur ai.

Por policia ka dyshime se Cukali është urdhëruar nga persona të tjerë të paidentifikuar për t’i bërë atentat Menës.

Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë në Kamëz, ndërkohë policia arrestoi dhe mbajti të fshehtë arrestimin e dy kushërinjve që vendosën tritolin, Enver dhe Edmond Jakimi . Ndër të tjera dhe masa e tyre është dhënë në fshehtësi me pretendimin që të zbuloheshin porositësit.

Atentati në Kamzë

Makina e Gjon Menës, i njohur dhe me emrin Altin Xhuxha, ka shpërthyer menjëherë sapo ai ka shtypur pultin për të hapur automjetin.

Lënda plasëse ishte vendosur tek pjesa e përparme e makinës, ndërsa 35-vjeçari ka marrë dëmtime në këmbë.

Vëllezërit Edmond dhe Enver Jakimi janë identifikuar të parët nga policia, pasi janë filmuar nga kamerat e sigurisë pranë vendit ku ndodhi shpërthimi i lëndës plasëse, në automjetin tip BMW X5.

Vetë shënjestra është një person me rekorde kriminale, i dënuar më parë për armëmbajte pa leje. Ai ka qenë dënuar më parë edhe për vjedhje me dhunë e armë në Francë e Itali.

Kush është Gjergj Cukali?

42-vjeçari është arrestuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali në janar të vitit 2019, por vetëm nëntë muaj më pas, u la i lirë nga Gjykata e Apelit, pasi nuk iu gjetën prova të mjaftueshme për ta mbajtur në qeli.

Cukali është dënuar edhe për marrje peng, armë mbajtje pa leje dhe trafik të lëndëve narkotirke. Ai është njohur edhe si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, që ndodhet aktualisht në burg. /e.a/noa.al/

Lexo edhe:

Kush është i forti i "Myslym Shyrit", që u arrestua për atentatin ndaj Gjon Menës