Transmetuar më 26-02-2021, 17:58

Ministri i Diasporës Pandeli Majko nuk mendon se çështjen e votimit të emigrantëve politika ja ka ngecur KQZ-së, por kërkon që vendimi të mos zvarritet nga ky institucion, dhe të nxjerrë aktet nënligjore.

“Unë ende jam shpresë plotë që në zgjedhjet e ardhshme, shtetasit tanë jashtë vendit do të votojnë. Nuk mendoj se politika i ka lënë diçka në derë, nëse mund të flasim kështu, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Aktet nënligjore janë një detyrë të cilën KQZ duhet ta kryejë,” u shpreh Majko për RTV Ora.

Ministri Majko mendon që në këto momente të mos kërkohet përgjegjësi se pse nuk janë regjistruar adresat e këtyre qytetarëve në shtetet kur jetojnë, por nuk e lë pa nënvizuar hezitimin e PD për të mos dhënë dakordësinë për votën e tyre.

“Unë mendoj se çështja e përgjegjësisë nuk duhet ndërlidhur me të drejtën e votimit. Nga ana e opozitës ka një tërheqje me idenë se këtu ka një mungesë garancish. Nuk ka asnjë mungesë garancie,” tha Majko.

“Jemi të gatshëm të pranojmë çfarëdo lloj varianti që vjen nga Partia Demokratike për këtë çështje,” u shpreh Majko.

Pandeli Majko mendon se votimi i emigrantëve nuk do të dështojë, por risia e këtij procesi mbetet tek koha kur do të bëhet realit. /k.k/noa.al/