Transmetuar më 26-02-2021, 22:13

Më shumë se 300 nxënëse janë rrëmbyer nga persona të armatosur të paidentifikuar nga një shkollë në shtetin veri-perëndimor të Nigerisë, Zamfara.

Oficerët e sigurisë janë dërguar në qytetin Jangebe ku vajzat u rrëmbyen sot herët në mëngjes.

Zyrtarët lokalë kanë konfirmuar sulmin por nuk kanë dhënë më shumë detaje.

Ky është rrëmbimi masiv i fundit në  shkolla gjatë javëve të fundit. Bandat e armatosura shpesh i rrëmbejnë nxënësit, për shpërblim.

Të paktën 42 persona, përfshirë 27 studentë, të cilët u rrëmbyen javën e kaluar në Kagara, në shtetin fqinj Niger, ende nuk janë liruar.

Rrëmbimi i vitit 2014 i 276 nxënëseve në qytetin veri-lindor të Chibok nga militantët islamikë Boko Haram solli vëmendjen globale ndaj bastisjes të shkollave në Nigeri, por sulmet më të fundit dyshohet të jenë punë e bandave kriminale.

Sulmi i së premtes ndodhi në 01:00 me kohën lokale (mesnatë GMT) kur një grup i armatosur arriti në Shkollën e Mesme të Vajzave të Qeverisë në qytetin Jangebe me automjete dhe motorë, tha një mësues në faqen e lajmeve Punch.

Disa nga personat e armatosur ishin veshur si forca qeveritare të sigurisë, thuhet në raportimet, duke shtuar se ata detyruan vajzat shkollore në automjete.

Por dëshmitarë të tjerë i kanë thënë BBC se burrat e armatosur arritën në këmbë në shkollë.

Dëshmitari i tha BBC se më shumë se 100 persona të armatosur hynë në shkollë.

"Ata thyen portën e shkollës dhe qëlluan në drejtim të rojeve të sigurisë. Pastaj ata u zhvendosën në konvikte dhe zgjuan vajzat, duke u thënë atyre se ishte koha për lutje. Pasi i mblodhën të gjitha, vajzat po qanin dhe ata i morën me vete.  Ata po qëllonin në ajër ndërsa i drejtuan për në pyll," tha dëshmitari./a.m/NOA.al