Transmetuar më 27-02-2021, 07:35

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili është gjithmonë i shoqëruar nga një ndihmës ushtarak që mban një çantë që ka brenda kodet për armët bërthamore, ka autoritetin e vetëm të urdhërojë një sulm bërthamor ose t’i përgjigjet armikut ndaj një sulmi të tillë.

Ligjvënësit e partisë demokrate po i kërkojnë Presidentit Joe Biden të heqë dorë nga ky pushtet i njëanshëm.

Sipas një letre të miratuar nga 31 ligjvënës demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, dhënia e një autoriteti të tillë një personi "mbart rreziqe reale".

"Presidentët e kaluar kanë kërcënuar të sulmojnë vendet e tjera me armë bërthamore ose kanë hasur në sjellje që i ka bërë zyrtarët e tjerë të shprehin shqetësime në lidhje me gjykimin e presidentit".

Letra, e hartuar nga ligjvënësit Jimmy Panetta dhe Ted Lieu, të dy nga Kalifornia, bën thirrje që zyrtarë të tillë si nënpresidenti dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, të pajtohen me një urdhër të tillë përpara se ai të ndërmerret.

"Kolegët e mi dhe unë po kërkojmë një rishikim të drejtpërdrejtë të strukturës së komandës dhe kontrollit bërthamor të vendit tonë për të përcaktuar se si mund të kemi një autoritet më të sigurt të lëshimit të armëve bërthamore, për të mos rrezikuar dhe për të rritur dhe forcuar sigurinë tonë kombëtare", tha Panetta në një deklaratë për Zërin e Amerikës të enjten.

"Bazuar në përvojën dhe udhëheqjen e shquar të presidentit tonë për kontrollin e armëve bërthamore, për forcat bërthamore të vendit tonë, ne po rekomandojmë që ai të vazhdojë analizën e tij të menduar dhe profesionale të mënyrave për kontrolle dhe ekuilibra shtesë brenda strukturës të komandës bërthamore".

Letra, e cila u dërgua në Shtëpinë e Bardhë të hënën, "propozon disa alternativa të tjera kundrejt asaj që presidenti të ketë autoritetin e vetëm, të pakontrolluar dhe përfundimtar për të urdhëruar përdorimin e armëve bërthamore", i tha Zërit të Amerikës Jeffrey Leëis, drejtor në Qendrën James Martin për Studime të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore pranë Institutit të Studimeve Ndërkombëtare Middlebury në Monterey të Kalifornisë. "Secila prej alternativave do të ishte më e mirë se marrëveshja aktuale".

Më 8 janar, dy ditë pasi një turmë që mbështeste presidentin e atëhershëm Donald Trump, sulmoi Kapitolin, Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi u tha kolegëve të saj demokratë se kishte folur me shefin e Shtatëmadhorisë "në lidhje me parandalimin e një presidenti të paqëndrueshëm" për të urdhëruar një sulm me armë bërthamore.

"Situata e këtij presidenti të paqëndrueshëm nuk mund të jetë më e rrezikshme dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur popullin amerikan nga sulmi i tij i paekuilibruar ndaj vendit dhe demokracisë sonë," tha Pelosi në një letër.

Letra, drejtuar presidentit Biden nga ligjvënësit demokratë, përfshirë dy anëtarë të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Forcat e Armatosura, përmend Trumpin me emër vetëm në shënime, si dhe përdor referenca lidhur me shqetësimet për stabilitetin mendor të presidentit Richard Nixon pak para se të jepte dorëheqjen në gusht të vitit 1974.

"Meqenëse ka rreziqe të qenësishme në sistemin aktual, siç u bë e qartë nga ish-presidenti, është përgjegjësia jonë në Kongres të sigurojmë që administrata të zhvillojë këtë lloj rishikimi në mënyrë që të ketë një autoritet më të sigurt, më të kontrolluar të nisjes së një arme bërthamore”, vijoi Panetta.

Trumpi, gjatë një periudhe grindjesh me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, mburrej se butoni i tij bërthamor ishte "shumë më i madh" dhe "më i fuqishëm" sesa ai që zotëronte Kim Jong Uni.

Ndërkohë, ndryshimi i propozuar po kritikohet nga tre anëtarë të shquar republikanë të Komisionit të Forcave të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve. /e.a/noa.al/