Transmetuar më 27-02-2021, 10:39

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA, ka miratuar paketën e re të ndihmës financiare për Covid 19, me vlerë 1.9 trilionë dollarë, duke shënuar fitoren e  parë legjislative të presidentit Biden.

Projektligji, synon të ndihmojë bizneset, qeveritë dhe miliona amerikanë të dëmtuar nga pasojat e pandemisë së koronavirusit.

Paketa do të sigurojë një ndihmë financiare shtesë, prej 1,400 dollarësh për individë dhe ndihmë financiare emergjente për familjet, bizneset e vogla dhe qeveritë lokale dhe shtetërore.

Gjithashtu do të mbulojë edhe shpenzimet e personave të papunë  dhe lehtësime taksash për amerikanët me të ardhura të ulëta dhe familjet me fëmijë.

Projektligji tani duhet të shkojë në Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë, ku demokratët qëndrojnë vetëm me votën vendimtare të nënpresidentes Kamala Harris.

Presidenti Biden ka përkrahur të ashtuquajturin ‘Plani Amerikan i Shpëtimit’, si një mënyrë për të ndihmuar amerikanët që luftojnë me Covid 19.

"Pas 12 muajsh vdekje dhe dëshpërimi, rimëkëmbja amerikane fillon sonte", tha ligjvënësi demokrat i Pensilvanisë, Brendan Boyle pak para miratimit të planit me 219 vota pro dhe 212 kundër.

Asnjë republikan nuk votoi në favor të paketës.

Shtetet e Bashkuara kaluan pragun e 500 mijë vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi katër ditë më parë dhe që nga fillimi i pandemisë, janë regjistruar 28,486,394 raste të infektimit. /e.a/noa.al/

Foto: Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi