Transmetuar më 02-03-2021, 10:30

Mihail Gorbaçov, ose "Gorbi", siç e quajnë gjermanët, mbush sot në 2 mars 90 vjeç. Ndërsa figura e tij është e diskutueshmë në Rusi për shkak të rolit që ka luajtur në ribashkimin e Gjermanisë, ai arrin një objektiv domethënës në jetën e tij me ulje-ngritje.

Por kush është Gorbaçov, ose "babai i Perestrojkës", njeriu që udhëhoqi bashkimin e Gjermanisë Perëndimore dhe asaj Lindore në vitin 1990.

Mihail Gorbaçovin e vlerësojnë dhe nderojnë pa masë në Gjermani për meritat që ai ka dhe rolin që luajti në ribashkimin e Gjermanisë.

Madje atij i është ngritur edhe një monument në Desau, në landin Saksoni-Anhalt, që u përurua më 3 tetor 2020 me rastin e 30 vjetorit të ribashkimit.

Gorbaçov ishte i pari kryetar shteti që vizitoi Gjermaninë pas ribashkimit. Në nëntor 1990, në Bon, u nënshkrua marrëveshja për fqinjësinë e mirë, partneritetin dhe bashkëpunimin, kjo ishte e para marrëveshje ndërkombëtare në Gjermaninë e ribashkuar.

I vlerësuar në Perëndim, jopopullor në atdhe: trashëgimia politike e kreut të fundit të shtetit sovjetik, është kritikuar vazhdimisht në Rusi. Bashkimi i Gjermanisë i fiksuar në 12 shtator 1990 në të ashtuquajturin marrëveshje dy-plus-katër, luan një rol qendror për këtë.

Marrëveshja u nënshkrua në Moskë nga ministrat e Jashtëm të RFGJ dhe RDGJ, si dhe të katër fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore – BRSS, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca. Dokumenti me shtatë faqe, "mbi rregulloren përfundimtare në lidhje me Gjermaninë", i dha fund ndarjes së Gjermanisë pas më shumë se 40 vjetësh.

Michail Sergejeviç  Gorbaçov lindi më 2 mars 1931 në rajonin e Kaukazit Verior, sot Stavropol, si biri i një rusi dhe një ukrainasje (Sergei Andrejeviç Gorbaçov dhe Marija Pantelejevna Gopkalo).

Prindërit e tij ishin bujq në Privolnoje. Në moshën 21-vjeçare më 1954-ën, Gorbaçovi hyri në Partinë Komuniste të BRSS, duke vepruar për 22 vjet në rajonin e tij Stavropol.

Në moshën 35-vjeçare ai mbaroi studimet në fushën e ekonomisë agrare në Institutin Bujqësor. Ai bëri karrierë në radhët e partisë, duke u ngjitur deri në Byronë Politike, ku në vitin 1980, u bë anëtar me të drejta të plota i saj.

Gjatë veprimtarisë së tij në byronë politike, Gorbaçovi u njoh me shefin e KGB-së, Juri Andropov, i cili vinte gjithashtu nga Stavropoli dhe në vitet pasuese e mbështeti atë në karrierën e tij në aparatin partiak.

Më 11 mars 1985, ditën pas vdekjes së ish-sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Konstantin Çernienko, në moshën 54 vjeçare Gorbaçovi u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste.

Ai nisi shumë shpejt kursin e reformave dhe u distancua prej gabimeve të partisë që nga koha e Stalinit dhe krimet gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Me ngjitjen e tij në krye të Sovjetit Suprem më 1988-ën, u distancua  qartazi edhe nga doktrina e Brezhnjevit.

Me zgjedhjen president i BRSS më 14 mars 1990, Gorbaçovi iu përmbajt kursit të reformave për liberalizim, duke i hapur kështu rrugën ndryshimeve në BSSR dhe gjithashtu edhe ndryshimeve në të gjithë bllokun lindor.

Ai u tërhoq nga posti i presidentit të Bashkimit Sovjetik në viti 1991. Pas kthesës në vitin 1992, ai themeloi fondacionin e ti,j Gorbaçov. /DW/