Transmetuar më 02-03-2021, 11:23

"Është e pamundur ta mposhtim virusin deri në fund të vitit 2021". Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka bërë paralajmërimin e zymtë se fundi i pandemisë Covid 19 është ende i largët.

“Do të ishte e parakohshme dhe mbase, jo reale, të mendojmë që mund t’i japim fund virusit brenda vitit. Por mendoj se mund ta ndalim atë po të tregohemi të zgjuar dhe të ulim shtrimet në spital, fatalitetet, tragjedinë që po shkakton kjo pandemi”, – tha zyrtari i lartë i OBSH, Michael Ryan.

Drejtuesi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se raste në rritje raportojnë Europa, dy Amerikat, Azia Juglindore dhe Mesdheu Lindor.

“Është për të ardhur keq që kjo ndodh tre muaj, pasi disa nga shtetet më të pasura nisën fushatat e tyre të vaksinimit”, tha drejtori i OBSH.

Të dhënat nga agjencia ‘Bloomberg’, tregojnë se vaksinimi me dy doza i 75 për qind të popullatës globale, pritet të marrë 4 vite e gjysmë dhe studimet tregojnë se 70 deri 90 për qind e njerëzve, duhet  të vaksinohen përpara se të arrihet imuniteti i tufës.

Aktualisht Shtetet e Bashkuara rezultojnë vendi me bilancin më tragjik nga Covid-19, me mbi 28 milionë të infektuar dhe më shumë se 500 mijë viktima.

Shefja e Qendrës amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve tha të hënën se autoritetet po përgatiten për një valë të katërt të pandemisë për shkak të varianteve më të rrezikshme të koronavirusit.

Bazuar në të dhënat e "Worldometer", numri i përgjithshëm i të infektuarve nga koronavirusi, u rrit në 114 milionë, ndërsa numri i viktimave deri tani është 2.5 milionë. /e.a/noa.al/