Transmetuar më 05-03-2021, 10:04

Nga Erion Dasho

Një nga ngjarjet e ditës sot ishte edhe emërimi i Zj. Çomo si deputete në parlamentin e ardhshëm. Nga entuziazmi me të cilin Borati e anonçoi këtë emërim dukej sikur me këtë katapultim të Çomos do të marrin fund jo vetëm hallet e COVID-it, por edhe ato të shëndetësisë shqiptare.

Por çfarë sjell Çomo në parlamentin e pas 25 prillit?

Përgjigja është e shkurtër dhe e thjeshtë: Asgjë!

Në profesionin e saj, Çomo do të mbahet mend si shefja e pavionit ku shqiptarët më shumë se për t’u shëruar, shkojnë për të humbur jetën. Dje kisha një status ku argumentoja se në pavionin e reanimacionit të Çomos vdekshmëria prej COVID-it luhatet midis 34% dhe 100%, një katastrofë që nuk e sheh as edhe në vendet afrikane.

Në krye të spitalit më të rëndësishëm terciar, nga Çomo minimalisht do të pritej:

1.Lidership në politikë-bërje, ku në pozicionin e antares së komitetit të të ashtuquajturve “ekspertë” duhej të ishte një “Fauçi” shqiptar. Faktikisht, sikundër gjithë kolegët e vet në komitet, u bë një miratuese në heshtje e tekave dhe urdhërave të Boratit për të ngjizur një nga përgjigjet më të dështuara ndaj COVID-it në shkallë botërore.

2.Lideship organizativ, ku të krijonte modelin e kujdesit për pacientët e prekur me COVID. Në këtë model duhej të përfshihej mjeku i familjes, spitali lokal e rajonal dhe vetëm më pas do t’i vinte radha spitalit të saj COVID. Faktikisht, Zj. Çomo pranoi të qëndronte në krye të një strukture të përçudnuar ku pacienti merrej nga shtëpia për t’u dërguar direkt në spitalin e saj duke shkaktuar jo pak vdekje të parandalueshme si pasojë e kongjestionit.

3.Lidership klinik, ku të udhëhiqte hartimin e protokolleve të trajtimit për çdo nivel të kujdesit shëndetësor. Faktikisht, edhe para pak ditësh më ka rënë në dorë një recetë e firmosur nga vetë Zj. Çomo ku pacientit i jepet një mjekim qartazi i gabuar. Çdo koment do të ishte i tepërt! Klinicistja që duhej të tërqihte pas vetes gjithë sistemin, ende nuk ka mësuar të trajtojë pacientët që i kërkojnë ndihmë direkt asaj vetë!

4.Lidership edukativ, ku si qendër universitare duhej të krijonte një kaskadë trajnuese që të niste nga mjekët e spitaleve rajonale, por të vazhduar në formë kapilare deri në kujdesin shëndetësor parësor (pra mjekët e familjes). Kjo nuk ndodhi dhe sot spitalet rajonalë janë futur në lojë në mënyrë kaotike duke ofruar një nivel kujdesi që sigurisht lë për të dëshiruar.

Duke emëruar Çomon si deputete dhe kandidate të ardhme për ministre të shëndetësisë, Borati në fakt është në përputhje të plotë me modelin e vet të udhëheqësisë: ministër i Boratit duhet të jetë një person i paaftë, mundësisht i dështuar në profesion, por kokëulur dhe i bindur deri në vdekje; një person që pranon të mendojë me mendjen e Boratit dhe të veprojë si një buratin i telekomanduar.

A kishte Borati alternativa ndaj Çomos?

Mjafton të shohim jo shumë larg Çomos, madje në krah të saj. Përgjatë gjithë epidemisë, ka spikatur një figurë e cila nga pothuajse e panjohur, u shndërrua në një prej personazheve më të dashur për qytetarët dhe ky ishte Prof. Tritan Kalo. Them i panjohur duke patur parasysh publikun e gjerë, pasi për kolegët e vet, Prof. Kalo ka qenë gjithmonë i kuotuar si ndër figurat më të vlerësuara të mjeksisë shqiptare.

Një laureat me diplomë ari i fakultetit të mjeksisë dhe mbajtës i të paktën dy diplomave të huaja, Kalo vlerësohet si një njohës jashtëzakonisht i aftë jo vetëm i “zanatit” të vet bazë, mjeksisë klinike, por edhe i politikave shëndetësore. Mbi të gjitha, gjatë gjithë pandemisë, Kalo ka treguar personalitet, dinjitet dhe vlera të pamohueshme intelektuale dhe njerëzore. Nuk është rastësi emërimi i Prof. Kalos si personazh i vitit në shumë anketa dhe qytetar nderi nga disa bashki të vendit.

I ndodhur midis Kalos dhe Çomos, Borati përzgjodhi pa asnjë mëdyshje Çomon, përzgjodhi mediokritetin para mençurisë, nënshtrimin para dinjitetit, konformizmin para rebelizmit. Duke përzgjedhur Zj. Çomo, Borati u tregoi paradhënie shqiptarët se cili do të kishte qenë modeli i një mandati të tretë qeverisës që fatmirësisht për shqiptarët nuk ka për të ardhur kurrë.

Borat!

Duke futur në parlament Zj. Çomo më tepër se shqiptarëve dhe vetes tënde, i ke bërë një nder jo të vogël vetë Çomos. Duke i dhënë asaj imunitetin parlamentar, ndoshta do të arrish të shmangësh hetimin e përgjegjësisë së Çomos për mjekimet e gabuara, vetëvrasjet me hedhje nga ballkonet e pavionit infektiv, fshehjen e numrit të vdekjeve, si edhe rolin e saj përcaktues në dështimin e përgjigjes shqiptare ndaj COVID-it.

Për të mos përmendur disa akuza monstruoze të cilat janë përmendur vazhdimisht nën zë, por që deri më sot kanë mbetur të paprovuara.

Borat!

Emërimi i Çomos në parlamentin e ardhshëm, më tepër se shpresë për shqiptarët dhe shëndetësinë është një larje borxhi midis bashkëfajtorëve!

Turp si për ty që e propozove dhe po aq turp për atë që e pranoi!