Transmetuar më 08-03-2021, 12:11

Një grua 41-vjeçare vrau vajzën e saj 2-vjeçare gjatë natës në Cisliano (Milano).

Pas vrasjes së vajzës së vogël, gruaja dëmtoi veten e saj me një mjet prerës dhe u shtrua në spitalin "Magenta" të Milanos, Itali.

Incidenti ndodhi rreth orës një në mëngjes dhe ka qenë babai i vajzës, i cili nuk ishte në shtëpi, ai që ka dhënë alarmin.

Ai ka marrë një telefonatë nga gruaja e tij, e cila i ka thënë: "Vajza jonë nuk është më".

Kur karabinierët mbërritën, ata e gjetën shtëpinë të mbyllur nga brenda dhe u detyruan të hyjnë nga një dritare dhe gjetën vajzën e pajetë në shtrat, pranë nënës së saj pa ndjenja.

Sipas asaj që doli, vajza nuk kishte dëmtime të dukshme fizike dhe vrasja është vetëm një nga pistat mbi të cilat karabinierët po hetojnë: dyshohet që fëmija mund të jetë mbytur, por vetëm një autopsi mund të përjashtojë vdekjen aksidentale. /e.a/noa.al/