Transmetuar më 08-03-2021, 13:19

‘Më e shtrenjta fjalë’, vargjet e këngës së përjetshme për Nënën! Aurela Gaçe: Djemtë e Detit erdhën dhe bënë revolucion në muzikë!

Nga Aranit Muraçi

Grupi legjendar i rrokut që u krijua pas rënies së komunizmit, në fillim të viteve ’90, solli muzikën origjinale që nisi rrugëtimin përgjatë një epoke tjetër te re, që sapo kishte nisur në Shqipëri. E ndërsa vendi i tyre shpesh përballej me sfida dhe vështirësi nga më të ndryshmet, krijimtaria e grupit shërbeu si një frymëzim i madh në tërë këto vite tranzicioni, veçanërisht për brezin e epokës së “Djemve të Detit”.

Gent Demaliaj ka qenë një ndër zërat e parë të rrokut në Shqipëri, pjesë e grupit që nisi rrugëtimin në vitet ’90. “Jakup Ferri”, “Ëndrrat që për ty i thura”, “Jo tani”, “Epos”, “Mos Qaj”, janë disa prej hiteve të grupit “Djemtë e Detit”. Përmes origjinalitetit që i karakterizoi gjatë gjithë karrierës, të cilit i qëndroi besnik në tërë krijimtarinë e tyre, grupi i dedikoi përmes vargjeve magjike ‘Më e Shtrenjta Fjalë’ një këngë edhe Nënës. Sot më 8 Mars është festa e Nënës dhe kjo këngë jeton dhe këndohet bashkë me të.

Sot Genti nuk jeton më. Ai u nda para kohe nga jeta, rreth 6 vite më parë. Por më këngën dhe artin që dhuroi sa ishte në jetë, ai la pas një trashëgimi, një thesar të çmuar, jo vetëm për adhuruesit e shumtë të muzikës së tij, por për gjithë artin dhe artistët shqiptarë të muzikës, në të njëjtën kohë. Bashkëshortja e Gentit, Rudi Demaliaj, në një intervistë për Agjencinë Kombëtare të Lajmeve “NOA.al", nuk e fsheh krenarinë që adhuruesit e grupit “Djemtë e Detit” dhe veçanërisht të Gentit, mbeten po aq të shumë edhe sot, në të gjithë Shqipërinë. – “Kur flitet për Gentin sigurisht që përveç emocioneve, ndihemi mirë, pasi fjalët që thuhen për të, na mbushin me plot krenari dhe gëzim”, thotë ajo. Kur origjinaliteti, talenti dhe puna bashkohen në ‘NJË’, nuk mund të ndodhte ndryshe:

U bënë më shumë se 6 vjet që Gent Demaliaj i mungon publikut, adhuruesve të muzikës së tij, dashamirësve, miqve, dhe sigurisht të afërmve të familjes. Ai u largua shumë shpejt, por la pas një trashëgimi që besohet se ju mbush me krenari?

Padyshim që trashëgimia e Gentit na bën krenar për shkak të asaj që ai ishte si person dhe gjithçkaje që la pas.

Genti përveçse vokalisti i grupit, shkruante edhe tekstet e këngëve. Cili mendoni se ishte frymëzimi i tij më i madh për të krijuar këngët, të cilat u përjetësuat ndër vite, aq sa dëgjohen dhe këndohen edhe sot?

Mendoj se gjendja e tij shpirtërore ishte shumë e pasur. Edhe ndjeshmëria prej artisti e bënte atë të veçantë, sidomos për mënyrën e të shkruarit të teksteve.

Sot është 8 Marsi, festa e Nënës. Dhe një ndër këngët më të njohura të grupit “Djemtë e Detit” është ‘Më e Shtrenjta Fjalë’ teksti i së cilës u shkrua nga Genti dhe i dedikohet pikërisht nënës … Fjalë që burojnë nga shpirti i një artisti. Ngase besoni se i lindte frymëzimi për të krijuar?        

Frymëzimi Gentit i lindte nga marrëdhënia e tij njerëzore, nga dashuria që ai kishte për njerëzit e tij të dashur, dhe në veçanti për nënën e tij, të cilës i dhuroi më të shtrenjtat fjalë.

Cila ka qenë dëshira apo pengu më i madh i Gentit, që nuk mundi dot ta realizonte?

Dëshira e Gentit ishte të realizonte koncertin e tij, jo vetëm me bandën e tij, por edhe me një orkestër të madhe harqesh, për të mundësuar një koncert të mirëfilltë.

Adhuruesit e ‘Djemve të Detit’ janë sot të shumtë kudo në Shqipëri. Si përjetohet në familjen tuaj çdo moment kur flitet për Gentin dhe grupin që bëri epokë në kohë të vështira për vendin tonë?

Kur flitet për Gentin sigurisht që përveç emocioneve, ndihemi mirë, pasi fjalët që thuhen për të, na mbushin me plot krenari dhe gëzim. Ai ka lënë gjurmë në zemrat e shumë njerëzve.

Ndërsa edhe vajza Edea ka zgjedhur të ndjekë gjurmët e Gentit … 

Edea për momentin po studion në një universitet amerikan dhe po formohet si individ. Sigurisht këngën do ta vazhdojë, ashtu si edhe rrugëtimin e Gentit.

Muzika dhe arti mbetet pjesë e pandarë e familjes suaj. Ndjeni ndonjë keqardhje për devijimet apo për gjendjen aktuale të tregut muzikor, ose për mënyrën sesi edukohen të rinjtë e sotëm?

Natyrisht ndjej keqardhje. Arti ka humbur tashmë vlerat shpirtërore dhe emocionale, në vendin tonë. Ajo me çka po ‘ushqehen’ të rinjtë sot nuk ka të bëjë fare me artin e vërtetë dhe kjo gjë do të pasqyrohet me keq akoma, në të ardhmen tonë, si dhe të brezave që do të vijnë.

 

‘Më e shtrenjta fjalë’, vargjet e këngës së përjetshme për Nënën!

Aurela Gaçe: Djemtë e Detit erdhën dhe bënë revolucion në muzikë!

“Pa diell nuk ka lule, pa dashuri nuk ka fat, pa grua nuk ka dashuri, pa nënë nuk ka poetë, as heronj!”, ishte përkufizimi për Nënën, i shkrimtarit të madh rus, Maxim Gorky. Pa nënë nuk ka poetë, as këngëtarë, do të ishte përkufizimi në rastin konkret për “Djemtë e Detit”.

“Djemtë e Detit” ishte grupi më origjinal i rrokut në Shqipëri. Gent Demialj nuk kishte mbushur ende 18 vjeç kur u krijua grupi i parë shqiptar i suksesshëm rrok, në qytetin e Lezhës. Ai dhe pjesëtarët e grupit u rritën duke kënduar ashtu siç dinin. Apo ashtu siç thotë këngëtarja Aurela Gaçe, origjinaliteti i bëri ata të pakrahasueshëm. – “Erdhën në një kohë për të kënduar përmes stilit të tyre të veçantë dhe arritën në një kohë të shkurtër të bënin revolucion”, tha Aurela për Noa.al. “Ishin origjinalë, artistë të vërtetë dhe mbetën të tillë,”  shton ajo. Këngëtarja Aurela Gaçe i përket brezit të tyre. Sot muzika ka ndryshuar, ose ka devijuar nga krijimtaria e mirëfilltë. Gjithçka varet nga ajo që artisti i sjell publikut.  Ndoshta artistët janë të paktë, ndoshta mungojnë të tillë si ata. Ndërsa kjo është një arsye më shumë që këngët “Djemve të Detit” këndohen dhe kujtohen sot. Çështje brezash! “Brezi i tyre kishte çfarë të shijonte prej muzikës që ata sollën, prandaj edhe vazhdon dhe dëgjon sot muzikën e tyre”, – shprehet këngëtarja e mirënjohur, Aurela Gaçe.

Në fakt, jo vetëm stili i veçantë dhe origjinaliteti i tyre, i bëri ata të suksesshëm dhe të adhuruar për publikun shqiptar. Melodia, zëri dhe tekstet e këngëve, të tre këta komponentë ishin 100 për qind “bio- art”, në kuptimin e plotë të fjalës, duke fituar zemrat e publikut artdashës. Ata krijonin këngë, duke i qëndruar besnik virtyteve më të çmuara, siç ishte frymëzimi për Nënën. E tillë ishte kënga, që ia dikuan Nënës. Sot me rastin e 8 Marsit, kjo këngë është thesari i vërtetë i vlerave muzikore shqiptare sikurse i trashëgimisë që lanë pas “Djemtë e Detit”.

Me muzikën e Valentin Markvukaj dhe tekst të solistit Gent Demaliaj, “Djemtë e Detit” i dedikuan këngën, me të shtrenjtës Nënë. “NOA.al”, i mori një intervistë edhe kompozitorit të talentuar, Valentin Markvukaj, i cili prej gati 20 viteve jeton dhe vazhdon karrierën artistike në Australi.

Gent Demaliaj, për fatin e keq, u nda nga jeta para kohe, pak vite më parë. Një nga Këngët e kënduar prej tij “Më e shtrenjta fjalë”, vargje të dala nga shpirti dhe që i dedikohen Nënës, e lartësuan atë bashkë me këngët, deri  në përjetësi.

Më e shtrenjta fjalë (Epos)

Më e shtrenjta fjalë

Si në ëndërr për ty thirra

T’ pyeta si je o nëna ime e mira

Emri yt nënë si thirrja n’zot

Sa më dhëmb në shpirt

Që s`të shpërbleva dot

Vitet shkojnë thinjesh ti

Nëna ime për ty mbeta fëmi

Hoqe shumë nënë m`solle n`jetë

Por zemrën e pate gjithmonë të madhe det

Ti puth duart që m`kanë dhënë gji

Nëna ime ti lotët fshij

Aroma jote që n`flokë m`ke lënë

Parfumi më i mirë i t`mirës time nënë

Dhe nëse t’kam lënduar t’lutem nënë më fal

Se pranë gjithmonë do m’kesh jam i yti djal

Vetëm me këtë këngë që ta këndoj gjith mall

Nënë e gjith bota je më e shtrenjta fjalë

Nënë e gjith bota je

Më e shtrenjta fjalë