Transmetuar më 08-03-2021, 19:45

Shumë prej nesh kanë dëgjuar dhe kanë parë pemë që shartohen dhe në degët e tyre gjen dy madje edhe tre varietete frutash.

Fjala vjen kemi parë portokall, limon e mandarinë në një pemë të vetme.

Por a e dini se në një pemë mund të rriten dhe të vilen plot 40 lloj frutash nga më të ndryshmet?

Në galeri ju gjeni foto nga kjo pemë fantastike hibride me 40 lloje frutash. Ajo rritet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kumbulla, pjeshkë, nektarina, qershi e madje edhe bajame, gjenden në të njëjtat degë.

Krijuesi i kësaj peme është Sam Van Aken, një profesor në Universitetin e Syracuse, në shtetin e New York-ut.

Ai pohon se ambicien e kishte për 100 lloje të ndryshme frutash në një pemë të vetme. Por ia doli me 40 të tilla.

Van Aken krijoi çdo degë përmes shartimit, proces me anë të të cilit ai mori një degë që tashmë kishte nisur të lulëzonte dhe e transplantoi atë mbi pemën e projektuar prej tij.

Ky proces zgjati për tetë apo nëntë vjet. “Ai filloi si një projekt arti. Doja që njerëzit ta shihnin këtë eksperiencë, ku një pemë është në lulëzim me të gjitha këto ngjyra të ndryshme, ose duke rritur njëherësh të gjitha këto lloje të ndryshme të frutave”, pohon profesori njujorkez.

Në pranverë, pemët lulëzojnë duke krijuar një spektakël ngjyrash, ndërsa frutat rriten gjatë verës. Dhe sigurisht, frutat janë të ngrënshme.