Transmetuar më 11-03-2021, 22:16

Shqipëria do të nisë pas pak ditësh vaksinimin e mësuesve dhe pedagogëve me vaksinën Astrazeneca të Universitetit të Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar. Nesër e premte priten 38.400 doza dhe që të nesërmen pritet të fillojë vaksinimi i mësuesve dhe pedagogëve.

Por sa e sigurt është kjo vaksinë? Orët e fundit, Danimarka ka pezulluar dhënien e dozave të kësaj vaksine. Në këto kushte ka hezitim edhe në Shqipëri.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, sonte pohoi se dozat e vaksinës Astrazeneca që po vijnë në Shqipëri, nuk i përkasin lotët të vaksinave që janë pezulluar në Danimarkë dhe gjetiu.

Ajo iu referua Organizatës Botërore të Shëndetësisë e cila ka deklaruar se vaksinimi me Astrazeneca mund të vazhdojë lirisht me të gjitha lotet e tjera të kësaj vaksine, por jo me atë të bllokuar tashmë në Danimarkë.

Deri sot janë kryer 22 mijë e 693 doza vaksine Pfizer për Covid-19, ndër të cilët një pjesë e mirë e të vaksinuarve kanë marrë të dyja dozat, që të gjithë, mjekë dhe personel tjetër mjekësor.

Po ashtu janë vaksinuar dhe disa qindra të moshuar, edhe ata me Pfizer. Por janë më shumë se 46 mijë shtetas të moshës 80 vjeç e lart çka do të thotë se pjesa dërrmuese janë të pavaksinuar dhe ende nuk dihet se kur do të vaksinohen me të dyja dozat.

Vaksina nuk është e detyrueshme. Noa.al konfirmoi sot se janë disa dhjetëra mjekë që kanë refuzuar të vaksinohen. Pjesa më e madhe e tyre e kanë kaluar Covidin. Disa të tjerë kanë pohuar se do të presin vaksinat e tjera duke u fokusuar tek ajo me një dozë e Johnson and Johnson.