Transmetuar më 13-03-2021, 17:47

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 492 pacientë. Dy ditë më parë ishin 620 persona të shtruar në të 5 spitalet.

Që nga fillimi i shkurtit e deri dy ditë më parë, ishin mesatarisht 600 persona të shtruar dhe rënia e orëve të fundit cilësohet si optimiste për përmirësimin e situatës pandemike. Kjo ka bërë që të zbrazen dhjetëra dhoma pasi vetëm në dy ditë evidentohen afro 130 të shtruar më pak.

Rënie domethënëse ka dhe në repartet e reanimacionit. Aktualisht janë 24 persona në terapi intensive nga 37 që ishin dy ditë më parë.

Po ashtu ka rënë edhe numri i të sëmurëve që mbahen me frymëmarrje artificiale. Raportohet se aktualisht janë 8 pacientë janë të intubuar nga 12 që ishin pardje.

Rënie ka edhe numri i vdekjeve, raporton noa.al. Ditën e djeshme raportohet se 12 qytetarë kanë vdekur pasi ishin infektuar me COVID19, të moshave 53-79 vjeç.

Ky është numri më i ulët ditor i vdekjeve nga data 2 shkurt 2021 kur ndërruan jetë 6 persona. Që nga 3 shkurti e deri dje janë raportuar çdo ditë deri në 21 viktima.

Edhe pse janë bërë më shumë testime se çdo ditë tjetër e 6 javëve të fundit, ka një rënie domethënëse të rasteve të reja. Dje janë kryer 3463 testime, nga të cilët u gjetën të infektuar, 698 persona. Një ditë më parë ishin 681 raste të reja ndër 3340 testime. /noa.al