Transmetuar më 18-03-2021, 01:51

Me 302 euro në muaj, Shqipëria renditet e fundit në Europë për fitimet mediane mujore bruto për vitin 2018 të qytetarëve të saj, sipas një publikimi të mërkurën të Eurostat. Këto të dhëna (fitimet mediane) referojnë që gjysma e shqiptarëve fitojnë më pak se 302 euro në muaj dhe gjysma tjetër më shumë.

Më pak në Europë fitojnë dhe banorët e Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Turqisë, Serbisë, Malit të Zi (të dhënat për M.Veriut, Malit të Zi, Turqisë janë të vitit 2014). Por, gjithsesi, fitimet mesatate të shqiptarëve në 2018-n ishin 25% më të ulëta sesa të maqedonasve dhe sa gjysma e malazezëve në 2014-n, ndërsa janë 53% e fitimeve mesatare të serbëve në 2018-n (mungojnë të dhënat për Kosovën).

Sipas Eurostat, fitimet mujore bruto ndryshojnë mjaft në të gjithë BE-në. Në vitin 2018, fitimet mediane mujore varionin nga 4 057 EUR në muaj në Danimarkë në 442 EUR në Bullgari.

Eurostat shpjegon se mesatarja apo siç quhet, mediana, përcaktohet si një ‘vlerë e mesme’: gjysma e punonjësve fitojnë më pak dhe gjysma tjetër fitojnë më shumë se vlera mesatare e fitimeve. Fitimet mujore bruto i referohen pagave dhe shpërblimeve të fituara nga punonjësit (përfshirë praktikantët) në muajin e referencës (përgjithësisht tetor 2018), para zbritjes së taksave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore. Përfshihen pagesa jashtë orarit, shtesat, shpërblimet, komisioni, etj. Fitimet mujore bruto të punonjësve me kohë të pjesshme janë shndërruar në njësi me kohë të plotë.

Së bashku me Danimarkën, në krye të listës ishte Luksemburgu me fitime mediane prej 3 671 EUR në muaj, pasuar nga Suedia (3 135 EUR), Belgjika (3 092 EUR), Irlanda (3 021 EUR), Finlanda (2 958 EUR) dhe Gjermania (2 891 EUR).

Në skajin tjetër të listës, Bullgaria kishte të ardhurat e saj mesatare mujore prej 442 EUR. Pas saj renditen Rumania me 700 EUR në muaj, Hungaria me 801 EUR dhe Lituania me 809 EUR.

Pagat më të ulëta në të gjitha sektorët Sipas të dhënave të tjera të Eurostat dhe të instituteve statistikore rajonale, punonjësit shqiptarë marrin pagat më të ulëta në të gjithë sektorët. Psh, sipas INSTAT, paga mesatare në sektorin e “Aktiviteteve Financiare dhe Sigurimit”, që është aktiviteti më i paguar në Shqipëri, për vitin 2019 ishte 107.7 mijë lekë, ose rreth 870 euro në muaj. Sipas Eurostat, në Gjermani, paga mesatare në sistemin financiar dhe të sigurimeve është rreth 4.4 mijë euro, në Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar arrin në rreth 5 mijë euro, ndërsa rekordin e mban Zvicra, me 9.4 mijë euro në muaj.

Teknologjia e informacionit, në Shqipëri ky profesion paguhet mesatarisht 645 euro, që është të paktën sa gjysma e shtetit që jep më pak për këtë profesion (Bullgaria me rreth 1.3 mijë euro/muaj). Në vendet e BE-së ata paguhen mesatarisht mbi 2 mijë euro, në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar mbi 4 mijë euro dhe rekordin e mbajnë sërish Norvegjia dhe Zvicra më përkatësisht 6.2 dhe 8.2 mijë euro/muaj.

Edhe në rajon paguhemi më pak. Paga mesatare në Shqipëri, në vitin 2019, ishte rreth 420 euro, që është të paktën 30% më e ulët se gjithë vendet e tjera të rajonit. Pas Shqipërisë renditet Kosova (602 euro), Maqedonia (617 euro), Serbia dhe Bosnja e kanë pagën mesatare rreth 700 euro. Ndërsa më shumë paguhen punonjësit në Mal të Zi, mesatarisht me 770 euro, sipas të dhënave nga institucionet statistikore përkatëse.