Transmetuar më 22-03-2021, 10:11

Në Tiranë po qarkullojnë pedofilët të cilët ndonëse janë bërë prindër e madje gjyshër, po tentojnë të përdhunojnë fëmijë të mitur.

Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe në të gjitha Komisariatet e saj, po raportohen raste gjithnjë në rritje të ngacmimeve seksuale dhe tentativave për marrëdhënie seksuale me dhunë, raporton noa.al.

Fëmijë të shoqëruar nga prindër apo të afërm, kanë denoncuar në polici se po përballen me pedofilët që janë kthyer në shqetësim në rrugët e kryeqytetit, në orë Të ndryshme të ditës.

Policia thotë se po punon për të identifikuar dhe arrestuar autorët e dyshuar. Sot, konfirmohet arrestimi i dy prej tyre.

Një 60-vjeçar me iniciale A.M. është arrestuar nga forcat e Komisariatit Nr.3 të Policisë së Tiranës i akuzuar për ngacmim seksual.

Ai është kapur në flagrancë pasi ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur.

Ndërkohë, për një rast të ngjashëm është shpallur në kërkim një tjetër person, 42-vjeçari me iniciale A.M.

Ndaj tij është bërë kallëzim që në rrugën “Pandi Dardha” në kryeqytet tentoi të ngacmonte seksualisht një vajzë të mitur.

Policia thotë se pasi ka identifikuar të dyshuarin, po përpiqet të bjerë në gjurmët e tij. Deri atëherë, gjithkush të bëjë kujdes dhe të ruhet nga ky 42 vjeçar por edhe nga të tjerë që janë të panjohur për policinë.

Por sa e mundur është të ruhesh prej tyre? Vajza në rrugën "Pandi Dardha", ishte në shtëpi dhe doli vetëm për një çast jashtë, për të derdhur plehrat aty pranë. Kaq mjaftoi që një burrë ti sulej për ta ngacmuar seksualisht. E tmerruar, ajo klithi dhe arriti të shkëputej dhe të vraponte drejt banesës, ku edhe njoftoi prindërit për atë që i ndodhi.

Përvoja e policive në vendet e tjera, si fqinji Greqi, është e ndryshme nga Shqipëria. Atje, pedofilët dhe abuzuesit e tjerë seksualë që arrestohen, publikohen me emër dhe imazhe në media, për të nxitur qytetarët të denoncojnë raste të panjohura për hetimet. Kjo bëhet edhe për të kërkuarit, për të ruajtur qytetarët nga abuzime të mundshme. /noa.al