Transmetuar më 23-03-2021, 13:44

Çështja e pronave/ Dy pyetje publike, për kryeministrin dhe kryetarin e PS-së, Edi Rama dhe për kryetarin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Nga Kastriot Hajdini

PYETJE  PUBLIKE PËR KRYETARIN  E  PS,  EDI RAMA

Pasi dëgjova Kryetarin e Kadastrës Artan Lame në ekran, i cili  foli për legalizimet e ndërtimeve pa leje por pa bërë dallim për pushtimet e bregdetit –  a mund të na sqaroni publikisht : A është pjesë e mentalitetit të kryesisë socialiste grabitja, vjedhja ose përvetësimi i pronës së tjetrit me mentalitetin e hajdutit. E bëj këtë pyetje sepse unë kam qënë dhe jam pjesë e elektoratit të majtë. Prej 30 vjetësh po pres që Shteti të më kthejë me ligj pronën që i përket familjes time, por kjo nuk ka ndodhur. Nëse do kisha bërë ndërtim pa leje brenda pronës time, do e kisha  rimarrë një pjesë nga prona ime, por nuk e kam bërë sepse jam edukuar ta respektoj ligjin. Jam i sigurtë se elektorati socialist nuk është vjedhës…

PYETJE PUBLIKE PËR KRYETARIN E KOMITETIT SHQIPTAR  TË HELSINKIT

Ju keni kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese testimin në makinën e të vërtetës të kandidatëve për  BKH. Nëse ky testim ju duket shkelje e të drejtave të njeriut për këta 5 apo 10 gjyqtarë, pse në këto 30 vjet nuk keni reaguar asnjëherë për korrupsionin në drejtësi, shkeljen e të drejtës së shtetasve për të gezuar secili pronën e tij të trasheguar konform Kushtetutës. Kujt i ka shërbyer veprimtaria juaj në këto 30 vjet në Shqipëri, kur nuk keni folur për korrupsionin pushtetar me pronën,  për shkeljen e nenit 181 të Kushtetutës. Pse nuk reagoni për standardet e dyfishta dhe antikushtetuese me pronat ? Pse nuk keni reaguar kur Kryeministri Edi Rama deklaroi në Kuvend se për shkak të anarkisë së titujve të pronësisë kanë humbur jetën 8000 shtetas ? Pse nuk reagoni për  përjashtimin nga e drejta për  votim e emigrantëve?

/a.m/NOA.al