Transmetuar më 26-03-2021, 19:12

Pas një rënie të fortë në muajit e izolimit, dërgesat nga emigrantët kanë arritur nivelin më të lartë që nga viti 2010, në tre muajit e fundit të vitit.

Sipas Bankës së Shqipërisë në total gjatë vitit të kaluar emigrantët sollën 673 milionë euro, ose 29 milionë më pak se në 2019.

Në periudhën tetor-dhjetor 2020 emigrantët kanë sjellë 203 milionë euro.

Vitet e fundit por kryesisht periudhën e izolimit nga virusi u duk se migrantët i kishin harruar të afërmit e tyre në Shqipëri. Por Banka e Shqipërisë raporton se dërgesat e tyre në tremujorin e fundit të vitit arritën në nivelin më të lartë që nga viti 2010.

Konkretisht për tetor-dhjetor 2020 emigrantët sollën 203 milionë euro nga 182 milionë euro që sollën në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Niveli më i lartë i fundit në prurjet valutore ishte në vitin 2010 kur emigrantët sollën 219 milionë euro.

Kjo rritje lidhet edhe me faktin se disa shtete dolën nga izolimi, dhe rifilluan normalisht aktivitetin e tyre, të ndihmuar edhe nga procesi i vaksinimit.

Por edhe pse me një rritje në këtë tremujor që lidhet edhe me festat e fundvitit, në total gjatë vitit të kaluar dërgesat valutore arritën në 673 milionë euro, ose 29 milionë më pak se në 2019.

Përmirësimi i dërgesave të emigrantëve erdhi pas një rënie të thellë në tre muajit e karantinës, kur emigrantët sollën vetëm 121 milionë euro, (niveli më i ulët që nga viti 2014, kur u dërguan 118 mln euro) për shkak se shumë shtete të huaja hynë në izolim dhe pagesat mujore u ulën për shkak të mbylljes së ekonomisë.

Kjo rritje e tillë e dërgesave valutore nuk lidhet vetëm me rikthimit të aktivitetit ekonomik dhe daljes nga izolimi por edhe me rritjen e remitancave të ardhura nëpërmjet kanaleve formale. Kjo do të thotë që bllokimi i transportit mes shteteve për të frenuar përhapjen e pandemisë, ka nxitur emigrantët që paratë e tyre ti dërgojnë nëpërmjet transfertave bankare apo edhe shoqërive të tjera jo banka./a.m/NOA.al