Transmetuar më 30-03-2021, 18:15

Pas rritjes me ritme të larta të kursimeve në 2020-n, që përkon me periudhën pandemike, shqiptarët po kursejnë më pak këtë vit, po gjithsesi tendenca mbetet në zgjerim.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se në fund të muajit shkurt, stoku i depozitave në vend arriti në 1.11 miliardë lekë, me një rritje të lehtë prej 0.16% në krahasim me muajin e mëparshëm, pothuajse në të njëjtin ritëm si në muajin e parë të vitit. Në krahasim me janar-shkurt të 2020-s, kur nuk kishte filluar pandemia, depozitat janë rritur 4 herë më pak.

Rritja në shkurt ka ardhur tërësisht nga kursimet në euro, ndërsa ato në lekë kanë shënuar prirje rënëse. Tendenca është e kundërt nga viti i mëparshëm, kur rritja u udhëhoq nga depozitat në lekë. Në janar dhe në shkurt, kursimet në monedhën vendase kanë rënë lehtë, ndërsa ato në euro ishin në zgjerim.

Me bazë vjetore, (shkurt 2021/shkurt 2020), kursimet janë rritur me 7%, ose 73 miliardë lekë (600 milionë euro më shumë), si rrjedhojë e shtimit të lartë të tyre në muajt e pandemisë, të udhëhequra nga depozitat në monedhën vendase, shkruan Monitor.

Kjo tendencë e rritjes së kursimeve në periudhë pandemie ishte e pranishme në të gjitha vendet e Europës. Mungesa e udhëtimeve dhe pasiguria për të ardhmen shtynë familjarët që të linin më shumë para mënjanë.

Rritje të ndjeshme shënuan dhe depozitat e bizneseve, që me bazë vjetore në shkurt u rritën me 20% në lekë dhe 13% në euro. Frenimi i investimeve nga pasiguria e lidhur me krizën dhe rritja e pagesave nga shteti në dhjetor janë arsyet e kësaj tendencë.

Si në lekë, ashtu dhe në valutë, rritja ka ardhur nga depozitat me likuiditet të lartë (pa afat), teksa normat e ulëta të interesit për kursimet janë shumë të ulëta, duke mos nxitur vendosjen e kursimeve në depozita me afat.

Kursimet e individëve në lekë pa afat u rritën me 25% me bazë vjetore në shkurt (+31 miliardë lekë), ndërsa ato me afat ranë me 3.5%. Normat e interesit vjetor për monedhën vendase janë rreth 1%.

Në euro, kursimet e individëve në llogaritë rrjedhëse për të njëjtën periudhë u zgjeruan me 14.8% (+19.7 miliardë lekë), ndërsa me afat ranë me 5.7%, teksa normat e interesit për euron janë zëro.

Në fund të muajit shkurt, depozitat në euro përbënin 53.7% të totalit, me një rënie prej 1 pikë përqindjeje në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, për shkak të rritjes më të shpejtë të kursimeve në lekë gjatë periudhës së pandemisë.