Transmetuar më 01-04-2021, 18:12

Edhe pse janë bërë gati 3 mijë testime gjatë 24 orëve të fundit, u evidentuan vetëm 349 raste të reja me koronavirus. Burime nga Ministria e Shëndetësisë thanë për noa.al se nuk bëhet fjalë për ulje të numrit të testimeve, por edhe numri i personave që kërkojnë tampon ka rënë ndjeshëm.

Ndër 2899 testime, në Tiranë dolën vetëm 81 të infektuar, numri  i ulët që nga fluksi i nisur në nëntor.

Me 10 deri 25 raste regjistrohen Shkodra, Korça, Berati, Durrësi, Fieri, Gjirokastra, Pogradeci, Tropojë dhe Lezha e Vlora.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 279 pacientë. Ky është numri më i ulët që nga vjeshta e deri sot.

Po ashtu ka rënie drastike të rasteve të rënda. Në të shtatë spitalet Covid në Tiranë dhe rrethe ndodhen gjithsej nëntë persona në terapi intensive.

Ulje shpresëdhënëse ka edhe për personat në gjendje kritike dhe frymëmarrje artificiale. Aktualisht janë vetëm dy persona të intubuar.

Rënie shënohet edhe në numrin e jetëve të humbura. Në 24 orët e fundit kanë vdekur 6 qytetarë, 2 nga Tirana, 2 nga Elbasani, 1 nga Durrësi dhe një nga Kavaja, të moshave 66 – 84 vjeç.

Shifrat e mësipërme ngjallin shpresë se në Shqipëri ka kaluar vala e rëndë e pandemisë dhe urojmë që mos të ketë një tjetër. Njëkohësisht, duhet të vazhdojmë të mbajmë distancë fizike, maska dhe higjienë të duarve. /noa.al

Statistika (1 Prill 2021) Raste të reja ditore 349 Të shëruar në 24 orë 604 Të shtruar në spitale 279 Humbje jete në 24 orë 6 Testime ditore 2899

Testime totale 561,820 Raste pozitive 125,506 Raste të shëruara 91,875 Raste Aktive 31,390 Humbje jete 2241

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve: Tiranë 21928 Fier 2554 Durrës 1283 Gjirokastër 1247 Shkodër 1198 Vlorë 965 Korçë 758 Elbasan 360 Lezhë 331 Kukës 359 Dibër 325 Berat 82