Transmetuar më 01-04-2021, 20:00

Një tjetër "çmenduri" nga akrobatja e talentuar, Fiona Rushiti. Këtë radhë ajo ka guxuar të zbresë urën e Bushtricës.

Në bisedë me noa.al, Fiona tregon momentet drithëruese teksa varet në këtë urë, më e larta në Shqipëri.

Fiona tregon se si sfidoi dhe kushtet atmosferike, lartësinë marramendëse, duke u varur nga maja e deri poshtë, e lidhur me një rrip sigurie siç shihni në fotot dhe video që ju sjell noa.al.

"Për dy orë, që nga nisja e kësaj aventure dhe deri në zbritje, ishin momente sa të frikshme aq edhe emocionuese të një sfide të rrallë, teksa performoja në 50 metra lartësi", thotë Fiona e cila mbështetet nga një skuadër ndihmëse në këtë aventurë të guximshme.

Ndërsa shton: "Ishte diçka ndryshe nga ato që kam realizuar nëpër male dhe kisha emocione sepse si pamje kisha një lartësi të madhe nga toka. Shihja këmbët e gjata të urës dhe unë, e vendosur aty në mes!"

Më herët, Fiona Rushiti, goditi sërish duke rrënqethur teksa bashkonte flamujt shqiptarë në prag të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, më 16 shkurt 2021.

Në liqenin e Batovcit në Prishtinë, nën temperatura të ulëta jo më pak se -8 gradë Celsius, Fiona qëndroi në lartësi, pa asnjë masë mbrojtëse si përherë dhe ia doli.

Me moton "Edhe pse kemi dy flamuj ne jemi një", ajo bashkoi dy flamujt shqiptarë megjithë kushtet ekstreme të motit. /a.b/noa.al/