Ulen ndjeshëm vaksinimet në Shqipëri, ka doza dhe për 6 ditë
Transmetuar më 01-04-2021, 20:16

Tri ditë pas nisjes së vaksinimit masiv, 24 orët e fundit konstatohet një ulje e ndjeshme ditore.

Sot janë bërë vetëm 16.617 doza vaksine, duke shënuar ulje krahasuar me ditën e parë kur ishin 20 mijë, të dytën 21.536 dhe të tretën, diçka më shumë se 19 mijë vaksinime.

Deri tani janë kryer 155 mijë vaksinime, një pjesë e të cilave dy doza për person.

Në total kanë ardhur 282.520 doza vaksinash ku 192 mijë janë kineze Sinovac, 10 mijë ruse, Sputnik-V dhe pjesa Pfizer-BioNTech dhe AstraZeneca.

Në gjendje stoku janë ende edhe 127 mijë vaksina. Nëse do të vazhdonte ritmi ditor që nisi, për 5 deri 6 ditë ato do të duhet të mbarojnë.

Deri tani nuk ka asnjë datë të konfirmuar mbërritjeje të vaksinave të tjera. Megjithatë qeveria thotë se ka kontraktuar 2.6 milionë doza deri në fund të vitit. /noa.al