Transmetuar më 01-04-2021, 22:18

Kandidati për kryeministër, Lulzim Basha konstaton se ekonomia shqiptare aktualisht po vuan një ndrydhje që e ka kapluar prej disa vitesh dhe po thellohet edhe më shumë.

Basha thotë se ka një zgjidhje për ta çliruar ekonominë dhe për këtë mjaftojnë dy vendime të cilat i quajti çelës të suksesit nëse më 25 prill fiton Partia Demokratike.

"Vetëm taksa e sheshtë 9% dhe ulja e sigurimeve shoqërore në 18% do të çlirojë një energji ekonomike që është ndrydhur sot", tha z.Basha.

Ai shpjegoi të dyja këto risi duke theksuar se taksa e sheshtë, forcon ekonominë, lufton evazionin dhe ndihmon njerëzit.

Lidhur me taksën 9 për qind, Basha tha se taksa e sheshtë është e provuar se funksionon.

Basha solli në kujtesë qeverisjen e Sali Berishës kur më 2006 vendosi taksën e sheshtë 10 oër qind. Atëherë u arrit që për disa vite të kishte rritje ekonomike dhe të ardhurat arritën deri në suficit.

Kryedemokrati pohoi se ajo taksë bëri që të shtohen 1.8 miliardë euro të ardhura në tatime. Shefi i opozitës tha se arsyeja përse taksa 9 për qind do të rrisë të ardhurat, është se do të formalizohet ekonomia.

"Taksa e sheshtë funksionon për shoqërinë, funksionon për shtresën e mesme, funksionon për pagat mesatare, funksionon për njerëzit me të ardhura më të ulëta, lufton evazionin".

Basha pohoi se shumë biznese të mëdha punojnë me dy bilance, një për shtetin dhe një për vete, me qëllim që mos të paguajnë taksën 15 për qind.

Lidhur me sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, Basha tha se ato do të ulen në 18 për qind me qëllim që të formalizohen të punësuarit. Aktualisht sigurimet shoqërore dhe shëndetësore janë 27.9 për qind e pagës bruto ose e pagës minimale që ka shkuar 30 mijë lekë mujore.

Në intervistën në TV Klan që noa.al po monitoron, Basha foli edhe për karburantet. Ai tha se ato do të jenë 24 lekë më lirë për litër pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike.

"Edhe ky do të jetë vetëm një nga masat që do të sjelli një efekt çlirues, pozitiv për ekonominë shqiptare", tha z.Basha. /noa.al