Transmetuar më 03-04-2021, 21:03

Vuajtjet e tre motrave Çokaj, të cilat jetojnë në një godinë të shkatërruar, të sëmura dhe në varfëri ekstreme, në Grudë-Fushë të Gruemirës, në Malësi të Madhe, duket se do të marrin fund.

Ato i kishin bërë thirrje bashkisë së Malësisë së Madhe, institucioneve shtetërore, shoqatave të ndryshme dhe shoqërisë civile, në mënyre që t’i ndihmonin jo vetëm me bazën ushqime por edhe me ndërtimin e një banese të denjë ku të mund të strehohen.

Ky rast u përcoll sot në emisionin “Stop” në TV Klan dhe gjatë emisionit, presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane, ndërhyri live duke u komunikuar drejtuesve të programit, se merrte përsipër gjetjen e një banese të re për tre motrat në fjalë.

Rasti i tyre kishte prekur zemrat e shqiptarëve, pasi dy motrat e mëdha nuk u martuan asnjëherë për shkak të problemeve të shëndetit mendor dhe në këto kushte, motra e trete Zukja, vendosi të sakrifikonte veten duke i kushtuar gjithë jetën përkujdesjes ndaj Dushes dhe Mines.

Por edhe ajo sot, është e sëmurë rëndë. Mineja 80 vjeçe dhe Dushja 74 vjeçe që sigurojnë bukën e gojës duke kërkuar lëmoshë në rrugë dhe tek varrezat e fshatit, bënë apel për ndihmë.

Tashmë kërkesa e tyre u dëgjua dhe ato do të kenë një pleqëri më dinjitoze në shtëpinë e re që do t’u mundësohet së shpejti nga Grupi BALFIN.

Grupi BALFIN, nën vëmendjen e veçantë të Presidentit të grupit, z. Samir Mane, i kushton një vëmendje të veçantë përgjegjësisë sociale, për të qenë sa më pranë komuniteteve dhe njerëzve në nevojë dhe zbaton një strategji të koordinuar për të gjitha kompanitë e tij, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtetet e tjera ku operon.

BALFIN është një ndër të paktat biznese shqiptare, i cili ka në fokusin e tij zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve ku operon, duke iu përmbajtur SDGs (Sustainable Development Goals), Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, për të cilin Grupi ka hartuar një plan-veprimi të mirëfilltë duke ndjekur hapat e shumë kompanive ndërkombëtare.

Gjatë vitit 2020 Grupi ka kontribuar me rreth 1 milion euro për kauza të ndryshme të përgjegjësisë sociale, pa llogaritur 1.2 milionë eurot që u dhuruan në favor të personave të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Shqipëri.