Transmetuar më 05-04-2021, 09:27

Vjosa Osmani është Presidentja e re e Kosovës. Gruaja më e votuar në histori të zgjedhjeve aty arriti dje të marrë besimin e Kuvendit pas 3 raundesh.

Osmani ka kryer shkollimin fillor e të mesëm në Mitrovicë, ndërkohë që ka mbaruar studimet e larta për drejtësi në Prishtinë.

Po ashtu Osmani është politikania e dytë më e votuar në zgjedhje parlamentare, pasi më 14 shkurt u votua nga rreth 300 mijë qytetarë të Kosovës.

BIOGRAFIA E VJOSA OSMANIT

Dr. Vjosa Osmani Sadriu u lind më 17 maj 1982 në Mitrovicë, në Kosovë.

Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka mbaruar në Mitrovicë, ndërkaq Fakultetin e Drejtësisë e ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës.

Studimet Master dhe studimet e Doktoratës i ka të mbaruara në Universitetin e Pittsburghut në Pensilvani, ShBA.

Ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër mandate, kështu duke u bërë gruaja më e votuar në histori të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë si dhe politikania e dytë më e votuar në zgjedhje parlamentare. Në mandatet e kaluara ajo ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Integrime Evropiane dhe ka qenë Nënkryetare e Komisionit për Reformë Kushtetuese.

Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u zgjodh kryetarja e parë grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më 5 nëntor 2020, ajo mori detyrën e u.d. si Presidente e Republikës së Kosovës.

Gjatë viteve 2006-2010, Vjosa Osmani ka shërbyer si Shefe e Stafit të presidentit Sejdiu dhe Këshilltare e Lartë për çështje Ligjore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Ka publikuar libra, artikuj, monografi dhe punime nga fusha e të Drejtës Ndërkombëtare dhe Komerciale, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në atë angleze.

Osmani është e martuar me Pridon Sadriun dhe ka dy vajza binjake./K.B/NOA.al