Transmetuar më 06-04-2021, 17:38

Autoriteteti Rrugor Shqiptar njofton përdoruesit e rrugës Tiranë – Durrës se do të devijohet qarkullimi drejt Vorës, për shkak të punimeve.

Punimet pritet të detyrojnë qarkullim me shpejtësi të reduktuar dhe përkohësisht devijimin në rrugët dytësore.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se prej orës 08:00 të së mërkurës, datë 7 prill, e deri më 21 prill, do të kryn punime për shtrimin dhe rehabilitimin e rrugës nga Qafë Kashari në hyrje të Tiranës e deri te zona e njohur si “Ura e Dajlanit” në Durrës.

Distanca e njoftuar për punime është sa gjysma e rrugës Tiranë-Durrës, konkretisht rreth 25.5 kilometra.

Punimet do të kryhen me dy faza, fillimisht në njërin kah e më pas në kahun tjetër të autostradës duke devijuar trafikun përkohësisht vetëm në një anë, në rrugët dytësore.

Katër ditët e para do të punohet në segmentin Qafë Kashar-Vorë, më pas në Vorë-Maminas, Maminas-Sukth, Maminas-Kryqëzim i Shkozetit, Shkozet-Ura e Dajlanit.

Gjatë këtyre ditëve qarkullimi drejt Vorës mund të kryhet përmes rrugës dytësore e njohur si “Rruga industriale”.

Në fazën e dytë të punimeve do të ndiqet i njëjta kronologji por me drejtimin e kundërt nga Ura e Dajlanit-Qafë Kashar.

Duke pasur parasysh ngarkesën e qarkullimit nga kjo rrugë, Autoriteti Rrugor Shqiptar bën thirrje që qytetarët të zgjedhin rrugë alternative. /k.k/noa.al/