Transmetuar më 07-04-2021, 14:47

Kryeministri Rama edhe njëherë ka shigjetuar Presidentin Ilir Meta si një prej dy personave përgjegjës për situatën e krijuar në Aeroportin e Rinasit.

Qëllimi i Presidentit, sipas Ramës, është rrëzimi i shtetit dhe Qeverisë, por asnjëra nuk ka për të ndodhur.

“Ilir,dokrrat me injorimin e kërkesave të pseudosindikatës së kontrollorëve dhe predikimet për mosndërprerjen e punës në aeroport nuk pinë ujë!Je një nga dy nxitësit e kësaj goditjeje të çmendur, në kërkimin e palodhur të rrëzimit të qeverisë e të vetë shtetit! T’i harrosh të dyja”, shkruan Rama në Tuiter.

Menjëherë ka reaguar Presidenti Meta, që duke e quajtur Qeverinë si të gënjeshtërt, për Aeroportin e Rinasit dhe çështje të tjera për sigurinë kombëtare do të përgjigjet sot nga Vlora.

“Qeverisë së 1 Prillit do t’ia jap sot pasdite nga Vlora përgjigjen për çështjen e Aeroportit të Rinasit, si çështje shumë e rëndësishme e sigurisë kombëtare dhe e detyrimeve ndërkombëtare.

Nëse është hapur Aeroporti i Vlorës, konferencën e shtypit do e bëjmë atje, por nëse jo, në një ambient tjetër të përshtatshëm për të cilin gazetarët do të njoftohen në kohë.

Ftohet dhe “Tërmeti” të marrë pjesë për shkak të përvojës së tij me aeroportet, fluturimet dhe jo vetëm”, ishte përgjigjja e Metës në Facebook. /k.k/noa.al/