Transmetuar më 07-04-2021, 15:47

Avokati i Sindikatës së Kontrollorëve Ajrorë, Rezeart Tupi, foli në lidhje me pezullimin e punës nga ana e klientëve të tij në Rinas.

Pas grevës që çoi në pezullimin e fluturimeve ajrore, pasi punonjësit ishin të pakënaqur me uljen e pagave apo me pushimin nga puna të disa prej tyre, dhe pavarësisht akuzave se ato kanë pasur paga të majme, fluturimet mbeten ende të pezulluara.

Tupi theksoi se punonjësit e Albkontrol janë të gatshëm të bashkëpunojnë dhe të arrijnë një marrëveshje me qeverinë në orët në vazhdim.

Ai u pyet në lidhje me pagat e kontrollorëve dhe akuzave të ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila tha se ata e kanë pezulluar punën për shkak se u është ulur paga në 2400 dollarë në muaj.

Por avokati bëri me dije se paga e një kontrollori drejtues është rreth 190 mijë lekë të reja ndërsa paga e një kontrollori monitorues është diku më pak.

“Atëherë pa hyrë në diskutime për pagën, mund t’iu them që drejtori i cili është në një post administrativ drejtues e ka pagën më të lartë.

“Paga aktuale e kontrollorëve është në 190 mijë lekë të reja në nivel drejtuesi. Kontrollorët monitorues e kanë më të ulët”.

“Jemi të gatshëm në çdo kohë për të bashkëpunuar dhe dialoguar me shtetin shqiptar”, tha avokati Tupi.

Në media janë publikuar paga që shkonin deri në 6 mijë euro për kontrollorët dhe pavarësisht shkurtimit të tyre, ministrja tha se ato mbeten gati të njëjta me pagat mesatare në BE.