Transmetuar më 08-04-2021, 13:20

Autoritetet britanike rekomanduan që vaksina e AstraZeneca-s kundër Covid 19-s të mos u jepet personave në moshë të rritur nën 30 vjeç, kur është e mundur, kjo për shkak të forcimit të provave se ajo mund të ketë lidhje me një lloj të pazakontë mpiksjeje të gjakut.

Rekomandimi erdhi pasi entet rregullatore si në Britani, ashtu edhe në Bashkimin Evropian theksuan se përfitimet nga marrja e vaksinës vazhdojnë t’i tejkalojnë rreziqet për shumicën e njerëzve edhe pse Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha se kishte gjetur një “lidhje të mundshme” mes vaksinës dhe mpiksjeve të gjakut.

Autoritetet britanike rekomanduan që personave nën 30 vjeç t’u ofroheshin vaksina të tjera alternative. Por EMA nuk këshilloi kufizime të reja lidhur me moshën e atyre që duhet ta marrin vaksinës, duke ua lënë vendeve anëtare të saj të vendosin nëse do ta kufizojnë ose jo përdorimin e saj. Disa vende kanë vendosur tashmë kufizime lidhur me vaksinën. Çdo masë në këtë drejtim po vëzhgohet nga afër pasi vaksina, e cila është më e lirë dhe më e lehtë për t’u ruajtur se shumë të tjera, është kritike për fushatat globale të imunizimit. Ajo konsiderohet si shtyllë e programit të mbështetur nga OKB-ja, i njohur me emrin COVAX, i cili synon të furnizojë me vaksina disa nga vendet më të varfra të botës. Konferencat për shtyp të enteve rregullatore të BE-së dhe Britanisë u zhvilluan në të njëjtën kohë të mërkurën pasdite.

Rezultatet e hetimeve lidhur me raportet për mpiksje të gjakut ngjallën shqetësim në lidhje me shpërndarjen e vaksinës së AstraZeneca-s. Agjencia e BE-së i përshkroi mpiksjet si efekte anësore “shumë të rralla”. Ndërsa Britania e Madhe ka nisur përdorimin e vaksinës së kompanisë amerikane Moderna, e cila merret me dy doza, në fushatën e saj të imunizimit që nis të mërkurën në Uells. Vaksina e Modernës është e treta e miratuar për përdorim në Britani pas asaj të Oxford-AstraZeneca-s dhe Pfizer-BioNTech-ut. /S.H /NOA.al