Transmetuar më 08-04-2021, 16:53

Menjëherë sapo u bë e mundur rinisja e punës në Aeroportin e Rinasit, kanë mbërritur në Shqipëri sasitë e tjera me vaksina “Sinovac”.

Janë 100 mijë doza që do të përdoren në fushatën e vaksinimit masiv, që ka nisur prej disa ditësh në të gjithë territorin.

“Me një ditë vonesë për shkak të tentativës çmendurake për bllokimin e fushatës së vaksinimit dhe nxitjen e rrëmujës në prag të zgjedhjeve, mbërrijnë 100,000 vaksina të tjera anticovid.

Më të vendosur se kurrë për të vazhduar me ritme të larta vaksinimin masiv dhe për të garantuar një sezon turistik të lehtësuar e me të ardhura të larta për Shqipërinë”, shkroi në Facebook ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ministret Balluku dhe Manastirliu e quajtën të paligjshme sjelljen e kontrollorëve për të braktisur punën.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se do të përmbushet angazhimi për të vaksinuar 500,000 qytetarë brenda Majit. /k.k/noa.al/