Transmetuar më 09-04-2021, 13:30

DOSSIER / Ish-ministri Mbrojtjes, Kiço Mustaqi, në këtë intervistë të dhënë më 2018 mbi Enver Hoxhën, flet për letrën e oficerëve të lartë që spiunonin për “planin tim për asgjësimin e Enver Hoxhës dhe gjithë Byrosë Politike”

Kiço Mustaqi, ka patur një karrierë të gjatë me uniformë ushtarake. E ka nisur si oficer i thjeshtë për të arritur në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm në kohën e komunizmit, duke arritur edhe në Byronë Politike në nivele partiake. Por duhet të vinte viti 1991 që të merrte edhe detyrën e ministrit të Mbrojtjes.

Në këtë intervistë që ju sjell më poshtë noa.al, Kiço Mustaqi ruante të njëjtin mendim për Enver Hoxhën: Ishte një komandant i madh. Dhe ka treguar edhe mbresat nga takimet me udhëheqësin komunist. Por edhe një moment delikat të jetës së tij, kur sapo ishte emëruar shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë dhe dy oficerë e akuzuan për një komplot për zhdukjen e Enver Hoxhës dhe gjithë anëtarëve të Byrosë Politike kur të vinin me pushime në Durrës.

Intervistuar nga: Albert Z. Zholi

Më keni folur për një moment delikat në jetën tuaj, kur patët mbi shpinë një akuzë të rëndë. Mund të na e tregoni pas kaq vitesh?

Ishte tetori i vitit 1982. Në atë kohë isha emëruar shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe zëvendës i parë i ministrit të Mbrojtjes Popullore. Pa u mbushur 10 ditë nga emërimi, në Komitetin Qendror mbërriti një letër për udhëheqjen e firmosur nga Luto Haskaj, anëtar i Komitetit Qendror dhe Servet Demiri, komandant i Brigadës I në Vorë. Ata denonconin se Kiço Mustaqi, kur ishte komandant i Korpusit të Tiranës, kishte përpiluar plane për asgjësimin e anëtarëve të Byrosë Politike kur ata vinin me pushime në Durrës. Këtë letër, Simon Stefani, që mbulonte ushtrinë si sekretar i KQ dhe anëtar i Byrosë Politike, ma jep mua e më thotë: Shko në Korpus dhe zgjidhe këtë punë.

– Epo, i thashë, Lutua të më akuzojë mua? Duhet dhe një oficer i tretë.

– Shko se i dimë ne këto punë.

– Të paktën më jepni një instruktor i thashë.

– Jo tha as atë s’ta japim, shko vetë.

Shkova në Korpus në zyrën e komandantit dhe thirra komandantin, komisarin, sekretarin e Korpusit, shefin e shtabit të Korpusit dhe komandantin e Brigadës I, Servet Demirin. Me qëllim që të mos e merrnin vesh arsyen e vajtjes, u thashë:

– Kam një material do ta lexoj, do të flas unë i pari, pastaj të flasë kush të dojë. Edhe mbylljen do ta bëj unë, dhe pastaj jeni të lirë të bëni si të doni.

Pasi lexova letrën, u mor vesh pse kisha vajtur. Duke diskutuar i par,i u thashë se shokët Luto e Servet kanë vepruar drejt dhe kushdo nga ne që dyshon për të keqen që mundet të vijë njërit nga anëtarëve apo gjithë Byrosë Politike, bën mirë që ta informojë menjëherë partinë. Ndërhyri Lutua.

– Mos u tall, tha.

I thashë se kjo është letra jote, unë e kam seriozisht, madje e ke vonuar tre vjet.

– Unë kam tre vjet që kam ikur, duhej njoftuar më përpara, por ajo që është më kryesorja, që dua t’u them, është se ato plane janë për ta mbrojtur Byronë Politike e jo për ta asgjësuar. Po të keni kundërshtime, shkruani ku të doni. Është turp i madh të godasësh pas shpine shokët me të cilat ke punuar etj,etj.

Kështu u mbyll ky problem me Luton.

Por kur dhe si jeni njohur me Enver Hoxhën? Çfarë kujtimesh ruani për të? 

Kujtimet më të mira. E them me bindje se atë kohë, për ne ai ishte idhull. Kushdo donte ta takonte, por dhe që ndryhej për emocionet që mund të kishte. S’kishte bisedë në ushtri apo në familje që të mos lidhej me emrin e tij. Në imazhin tim ai ishte si një njeri i veçantë. Për herë të parë, me këtë udhëheqës u njoha nga afër kur më thirri në mënyrën më sekrete nga fundi i shtatorit 1982. Atëherë isha Drejtor Operativ dhe zëvendësshef Shtabit të Përgjithshëm. Në zyrën e tij në Komitetin Qendror ndodheshim vetëm ne të dy. Fillimisht më pyeti vetëm për gjendjen e ushtrisë, stërvitjen etj, por shkurt. Pastaj, kur më pyeti për udhëheqësit e ushtrisë me radhë, kuptova se kjo thirrje nuk bëhej me qëllim raportimi, por për të parë se kush isha. Donte të dinte përgatitjen time. Donte të më njihte vetë nga afër. Siç duket, kishte marrë propozimin për të më bërë Shef të Shtabit të Përgjithshëm, por nuk është se ma tha një gjë të tillë. Më pyeti për Kadri Hazbiun, Veli Llakajn e me radhë të gjithë zëvendësministrat, por edhe për Simon Ballabanin, që ishte komandant i Divizionit të Këmbësorisë.

Isha shumë i emocionuar. Kur e pashë, mu duk gjigant, i pazëvendësueshëm. Isha në siklet. Por pas pak çdo gjë mu fashit. Nuk e di nëse ai takim është i incizuar, por unë nuk i fola keq për asnjë njeri, madje i lavdërova ata për punën e tyre. I tregova se si Kadriu Hazbiu dhe si Veli Llakaj apo zëvendësit e tjerë, ma mbanin derën të hapur për çdo gjë dhe në çdo kohë. Po ashtu, edhe diskutonim lirshëm, etj. Kuptova se diçka lëvizte në këtë punë, prandaj u mundova të tregohesha i kujdesshëm. Kështu, nëse të nesërmen do të bëhej mbledhja e organizatës apo e kolektivit, duhej të thosha të njëjtat gjëra, të bëja kujdes që të isha i njëllojtë edhe me diskutimet e mëparshme në këtë mbledhje. Për një takim të tillë duhej të raportoja dhe në organizatën-bazë të partisë.

Jetën e organizatës së partisë e bënim bashkë me Kadri Hazbiun, Veli Llakajn, së bashku me drejtorinë operative. Nëse bëheshin këto mbledhje, nuk doja të më thoshin të deleguarit: Na thuaj ato që fole tek shoku Enver. Pra duhej të kisha të njëjtin qëndrim. Kjo gjë është në karakterin tim. Nuk kam bërë kurrë dy njerëz të ndryshëm. Në këtë çast më kujtoheshin me dhimbje drejtorët e Ministrisë, kur Beqir Balluku u gjykua para oficerëve madhorë, që vetëm i thoshin armik e agjent por edhe e sulmonin me ofendime nga më banalet, kur një javë më parë pinin dollinë e shëndetit të tij, pale dhe duartrokitjet për të, ku drejtorëve u gjakoseshin dhe duart. Kjo dyfytyrësi nuk më kishte pëlqyer aspak.

Kur mbaruam bisedën për të cilën folëm, Enver Hoxha më porositi që të mos e dekonspiroja bisedën para asnjërit. “Unë dhe ti”, – më tha. Por isha i qetë që dhe n.q.s. do të kërkohej të flisja, do të thosha të njëjtat gjëra.

A e zbatuat porosinë?

Unë e zbatova këtë porosi të tij, por tani, pas kaq shumë vitesh, besoj se nuk përbën më sekret. Por të njëjtën gjë ai kishte bërë dhe me Simon Ballabanin. Por ky i fundit, për rreth një vit e mbajti fjalën, e më pas më tha se Enveri e kishte pyetur për mua. Simoni, përveç fjalëve të mira në adresën time, kishte merakun se një mbesa ime ishte fejuar me djalin e Mihallaq Ziçishtit dhe ia kishte treguar Enverit këtë. Siç më tha vetë Simoni, Enver Hoxha iu përgjigj: “E dimë këtë çështje, e dimë, ndonjë gjë tjetër ke Simon? ” Për këtë unë kisha bërë shtojcë biografike më parë, kështu që edhe shokëve edhe Simonit ua kisha treguar, si shokë që ishim, pra që më ka ndodhur kjo çarje në biografi.

Pas bisedës me Enver Hoxhën unë u emërova në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm por dhe anëtar i Këshillit të Mbrojtjes. Kështu pata rastin të raportoj pranë shokut Enver për gjendjen morale-politike, stërvitjet, fortifikimet, gatishmërinë, planet e mbrojtjes, etj. Karakteristikë e tij ishte se i donte gjërat konkrete e të argumentuara.

Në siklet të madh u vura kur i raportova për gjendjen moralo-politike. Në fakt kam bërë shumë raportime. Por ajo që zuri më shumë vend ishte ky rast:

Në një repart ushtarak mori flakë një makinë. Ushtari që ishte më afër vrapoi dhe shoi zjarrin me kapotën e tij. Pas tij, erdhën me radhë edhe të tjerët. Komandanti i Brigadës njoftoi se zjarri u shua nga një ushtar i padisiplinuar. Kur e pyeta përse, ai m’u përgjigj se kishte ikur pa leje. E qortova komandantin dhe i thashë se ushtari ka bërë një gabim, por nuk është i padisiplinuar, sepse ai u hodh i pari në flakën e makinës, ku rrezikoi edhe jetën. Pra, tregoi se ai është me moral të lartë, etj. Enveri e pëlqeu këtë veprim timin dhe e miratoi vërejtjen që i kisha bërë komandantit të Brigadës.

Një tjetër argumentim para Enver Hoxhës ka qenë dhe kjo: Në punimet fortifikuese që bëjnë ushtarët xhenierë afër lumit Mat, kur një makinë civile ra në lumë me gjithë njerëzit, xhenierët pa përjashtim u hodhën në lumë dhe i shpëtuan të gjithë. Domethënë, edhe ata që ne i kemi me probleme biografike, janë të gatshëm të punojnë, të sakrifikojnë. Po ashtu, Enver Hoxhës i shpjegova edhe veprimet për asgjësimin e Xhevdet Mustafës dhe disa çështje të tjera, për të cilat nuk bëri vërejtje, por mbeti shumë i kënaqur, sepse edhe çështjet moralo-politike kanë treguesit konkretë si njësi matëse.

Keni patur takime të tjera me Enverin?

Po! E mbaj mend si sot. Çdo gjë që ka lidhje me të, e mbaj mend fare mirë. Nga fundi i tetorit 1982 më merr në telefon direkt Enver Hoxha. S’e besoja. Më pyeti si shkoja, si shkojnë punët dhe më tha se më 29 nëntor 1982 do të shkojmë në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, por, konkretisht, detyrën do ta marrësh nga shoku Ramiz. Kuptohet që telefonatat e fillimit janë dhe për të hequr emocionet, për një komunikim më të lirshëm me të. Kështu veproi edhe për kalimin tim në KQ të partisë. Më telefonoi vetë Enver Hoxha. Pas nja dy ditëve më thirri Ramiz Alia me të cilin sqaruam problemet dhe si do të veprohej më 29 nëntor 1982, kush do të merrte pjesë. Midis të tjerave, më tha se duhet të bësh listën me drejtorët e ministrisë dhe komandave këtu përreth. “Po komandantin e flotës, shokun Luto”, e pyeta. “Jo, Luton në asnjë mënyrë”, më tha. Edhe unë për të tatuar pulsin e bëra këtë pyetje, që të merrja vesh ku shtrihej ai problem.

Si sillej me ushtarakët udhëheqësi komunist?

Enver Hoxha i ka marrë gjithmonë në mbrojtje ushtarakët. Në një rast, shërbimet e Sigurimit e kishin informuar për vendosjen jo në rregull të qendrave të zjarrit e pozicioneve të zjarrit të artilerisë në zonën e Tropojës. Pra, për sabotim. Bashkë me Prokop Murrën, i kam shpjeguar Enver Hoxhës në hartë një për një, për çdo drejtim, vendosjen e fortifikatave dhe se si ato i shërbejnë taktikave apo strategjisë tonë për mbrojtje dhe kundërsulme, si edhe pse ato nuk mund të vihen në veprim të armiqve që mund të na sulmojnë. Enver Hoxha na ka dëgjuar me vëmendje dhe është bindur për çka i kemi thënë. Nga veprimtaria ime e një kohë jo të gjatë me Enver Hoxhën, kam përshtypjen se në ushtrinë që kemi patur, roli i tij ka qenë përcaktues. Ai ishte kompetent si Komandant i Përgjithshëm, shumë i kujdesshëm e korrekt me vartësit. Kam përshtypjen se ishte mjaft zemërgjerë dhe mund të toleronte çdo të metë që ndreqej, por mungesën e besnikërisë ndaj atdheut nuk ta falte kurrë.

Në vitin 1984, në Sekretariatin e KQ-së, kur kam raportuar për disa ndryshime në shkollat ushtarake, Enverit i kishin paraqitur për firmosje edhe një urdhër që, oficerët të cilët transferohen, duhet t’u sigurohet shtëpi e punë për familjen dhe, për ata që nuk i marrin gratë me vete, të lirohen nga ushtria. Por, propozuesit u gjendën krejt të befasuar. Shoku Enver na tha: "Ne transferojmë oficerin, jo gratë e fëmijët e tyre. Ato kanë të drejtat e tyre të banojnë aty ku kanë regjistrimin. Ju si ministri bëni një urdhër ku t’u caktoni oficerëve sa ditë dhe kur duhet të venë pranë familjeve të tyre, etj".

Këtë e them për ata që flasin se Enver Hoxha vitet e fundit nuk ishte në gjendje logjike. I pyes: “A ka logjikë kjo vërejtje e urdhrit?". Enver Hoxha përballonte një punë kolosale dhe kurrë nuk e humbiste logjikën. Kjo është e vërtetë. Njeriu duhet të kritikohet për ato çfarë ka. Jo për ato që imagjinohen.

Çfarë i raportonit Enverit dhe si reagonte ai për problemet ushtarake?

Kam raportuar para tij për gatishmërinë e ushtrisë. Dhe them me bindje të plotë: Jo, nuk është se mund t’ia hidhje lehtë, nëse nuk kishte fuqinë e duhur argumentuese. Ishte shumë i zgjuar dhe dëgjonte dhe fëshfërimën e gjetheve. Më vjen çudi që sot shumë thonë ishte injorant. Çudi! Koha kur ai ka udhëhequr ka treguar se ai me intuitën, përgatitjen, zgjuarsinë, ka ditur t’ia dalë mbanë. Përndryshe…

Që nga tetori i vitit 1982, kohë kur u emërova Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, do të isha një prej njerëzve që do të informoja Komandantin e Përgjithshëm, jo vetëm për gatishmërinë e njësive ushtarake, por dhe për gjendjen morale politike të ushtrisë në të gjitha hallkat e saj, deri në detajet me të thjeshta e të pazakonta. Unë flas me përgjegjësi për aq sa kam pasur njohje reale konkrete me këtë udhëheqës. Sepse padyshim, janë të tjerë ata që e njohin më mirë. Enver Hoxha ka rolin vendimtar të padiskutueshëm në ushtrinë shqiptare, sepse ai e organizoi, e udhëhoqi, e drejtoi atë, që në Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e deri sa i ndaloi frymëmarrja si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë. Por ai edhe e ndiqte nga afër, me hollësi, si gjendjen moralo-politike të ushtrisë, cilësinë e stërvitjes, fortifikimeve e të gatishmërinë luftarake. Padyshim, ishte një komandant i madh.

BIOGRAFIA

Karriera e ish-ministrit të Mbrojtjes

Kiço Mustaqi u lind në fshatin Pecë të Sarandës në vitin 1939. Ka ikur nga vendlindja që në moshën 13 vjeç, kur ende s’e kishte shkelur pëllëmbë për pëllëmbë, fshatin e lindjes. Në fillim shkon në Kuçovë për shkollim dhe më vonë, mbaroi Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Ishte viti 1960. Viti kur në mbarë globin ndodhën ngjarje të mëdha politike, por sidomos në Shqipëri po frynin erërat e ftohta të ndarjes me ish-BRSS, superfuqia komuniste me 15 republika brenda. Pas ndarjes me ish-Jugosllavinë, për Shqipërinë po trokiste një ndarje tjetër e madhe që do të sillte me vete një dramë. Ishim të izoluar dhe udhëheqja komuniste e kohës po i hidhte sytë larg, në Lindjen e Largme, tek Kina komuniste që në atë kohë kishte një popullsi prej 900 milion njerëzish. Ishin vitet kur ushtria shqiptare ishte në gatishmërinë më të lartë luftarake. Ishin vitet kur “çdo shqiptar ishte edhe një ushtar i Partisë”. Pas mbarimit të studimeve ushtarake, Kiço, fillimisht shërbeu si oficer në një repart ushtarak, pastaj në shkollën e mesme ushtarake "Skënderbej", si komandant kompanie deri më 1964. Më 1964-1967 studioi në Akademinë Ushtarake "Mehmet Shehu". Pas 12 vjet studimesh të përgjithshme në shkollat ushtarake filloi dhe karriera e tij si ushtarak. U emërua në Tropojë komandant i Brigadës Sulmuese më 1969. Më pas lëvizi për në Vaun e Dejës ku ishte emëruar si Komandant i Brigadës së Këmbësorisë. Më 1974, emërohet Drejtor i Përgatitjes Luftarake të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Pas dy vjetëve, bëhet Komandant i Korpusit të Tiranës. Më pas, për 3 vjet do të ishte Drejtor Operativ i Ushtrisë e zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm. Me largimin e Veli Llakajt, emërohet Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Ndërsa në vitin 1991, u emërua Ministër i Mbrojtjes. Gjithashtu që nga viti 1976 deri në vitin 1992 është zgjedhur si deputet në zonat e minoritetit. Në vitin 1986 është zgjedhur edhe në Byronë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë.