Transmetuar më 09-04-2021, 14:03

Vaksina britanike e prodhuar nën kujdesin e universitetit të Oksfordit, AstraZeneca, nuk do të ketë shpërndarje masive në Evropë, për më tepër as dozën e dytë nuk do ta marrin ata që janë vaksinuar deri tani.

Vendimin e shpalli sot Franca. Autoritetet shëndetësore thanë se personat nën moshën 55-vjecare të cilët kanë marrë një dozë të vaksinës se AstraZenecas në Francë, si dozë të dytë do të marrin një tjetër vaksinë kundër koronavirusit.

Ministri i Shëndetësisë, Oliver Veran, tha se vendimi vjen pasi u pezullua në Francë dhe kudo në BE, vaksinimi me AstraZeneca për moshat nën 55 apo 60 vjeç.

Duke qenë se në BE janë miratuar 3 vaksina, dy të mbetura, Pfizer-BioNTech dhe Moderna do të përdoren në vend të vaksinës AstraZeneca e cila para pak kohësh ndryshoi emrin në Vaxzevria.

Në Francë, kanë marrë dozën e parë me AstraZeneca mbi 600 mijë qytetarë. Shumë prej tyre janë punonjës të shëndetësisë, mes të cilëve edhe ministri Veran, që është me profesion neurolog.

Nuk ka ende një njoftim zyrtar se si do të veprojnë vendet e tjera të BE. As në Shqipëri nuk ka një deklaratë mbi këtë zhvillim të ri dhe nëse do të aplikohet kjo skemë edhe në vendin tonë.