Transmetuar më 09-04-2021, 15:46

Këtë fundjavë vaksinohen moshat mbi 65 vjeç dhe duke nisur nga java e ardhshme vaksinohen edhe moshat 60 vjeç e lart.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi sot se 100,000 dozat e vaksinës CoronaVac të kompanisë kineze Sinovac, të mbërritura dje, do të shpërndahen në gjithë vendin, për të filluar vaksinimi i moshave mbi 60 vjeç.

“Dje kanë mbërritur 100 mijë vaksina të Sinovac, të cilat pas gjithë procedurave verifikuese, do të shpërndahen në territor, në qendra shëndetësore dhe qendrat e vaksinimit të përqëndruar, për të vijuar vaksinimin masiv", tha ajo, citon noa.al një deklaratë të ministrisë së Shëndetësisë ku citohet Manastirliu të ketë shtuar se "Do të zbresim fashën për vaksinimin masiv në +60 vjeç".

Deklaratën ministrja e bëri sot ndërsa ndoqi nga afër procesin e vaksinimit të efektivëve të policisë bashkiake, në pikën e vaksinimit në ish-stadiumin “Qemal Stafa”, ku është duke përfunduar vaksinimi i të gjithë uniformave blu.

“Ne kemi filluar tashmë prej ditësh me efektivët e policisë së shtetit. E kemi shtrirë edhe tek policia bashkiake. Janë tashmë më shumë se 9 mijë efektivë të policisë që janë vaksinuar.

Dhe ky është padyshim një sukses sepse në një kohë shumë të shpejtë po arrijmë të mbrojmë shumë qytetarë të rrezikuar të shërbimeve kritike por padyshim edhe gjyshet dhe gjyshërit, të cilët kanë një vit që kanë përballuar jo vetëm stres, por edhe një izolim social nga kjo pandemi”, deklaroi Manastirliu.

Qeveria ka si objektivi vaksinimin e 500 mijë qyetarëve brenda muajit maj. Me mesatarisht 15 deri 20 mijë vaksinime që po bëhen prej afro dy javësh, ky objektiv nuk është i vështirë madje brenda prillit mund të arrihet. Ndaj është e paqartë përse Manastirliu ka vënë fundin e Majit për këtë target.

Deri sot janë kryer 242,719 vaksinime për të moshuarit, mjekët, infermierët, stomatologët, farmacistët, arsimtarët, edukatorët, punonjësit e rendit, punonjës të medias.

Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani 389.540 doza të vaksinave antiCOVID19, ndërsa janë siguruar përmes kontratave të deritanishme, 2.1 milionë doza, tha sot ministria e Shëndetësisë. Më herët Rama deklaroi se ishin 2.6 milionë doza, por nuk dihet se ç’u bë me 500 mijë dozat diferencë. /noa.al