Transmetuar më 09-04-2021, 16:29

Unioni i Kontrollorëve të Trafikut Ajror të rajonit, ku bëjnë pjesë, ata të Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut kanë reaguar pas situatës së krijuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Në reagimin e tyre ata shprehen se kushtet e punës janë parakushti më i rëndësishëm për një trafik ajror të sigurt dhe nxisin negociata mes palëve për një zgjidhje.

“Me keqardhje të madhe kemi marrë lajmet për Kontrollorët e Trafikut Ajror në Shqipëri. Kushtet e punës të Kontrollorëve të Trafikut Ajror janë parakushti më i rëndësishëm për një trafik ajror të përpiktë dhe të sigurt.

Ne e kemi provuar profesionalizmin dhe dedikimin për profesionin tonë dhe kjo nuk mund të vihet kurrë në pyetje. Burgosja ose keqtrajtimi i kontrollorëve të Trafikut Ajror nuk është zgjidhje dhe nuk do të zgjidhë problemet e krijuara nga pandemia.

Ne nxisim negociata mes zyrtarëve shqiptarë dhe përfaqësuesve të Kontrollorëve të Trafikut Ajror dhe për një marrëveshje të përbashkët në vijim. Qëndrojmë pranë kolegëve tanë në Shqipëri. Ata dhe familjet e tyre janë në mendimet dhe lutjet tona”, thuhet në letrën e tyre./K.B/NOA.al