Transmetuar më 09-04-2021, 20:00

Opinioni publik në Greqi është i shokuar pasi ka zbardhur se një 58 vjeçar shqiptar është i dyshuari i vetëm për heqjen nga intubimi të një të sëmuri me Covid-19 që më pas humbi jetën.

Ngjarja ndodhi në spitalin Erithros në Greqi. Një pacient grek 76 vjeçar ndodhej në gjendje të rëndë pas prekjes nga koronavirusi. Ai ishte intubuar në një nga dhomat e spitalit, jo në repartin e terapisë intensive.

Në të njëjtën dhomë gjendej edhe një pacient tjetër, 58 vjeçar shqiptar. Ai nuk kishte probleme serioze dhe gjendja e tij ishte e qëndrueshme.

"Në dhomë ndodhej shtetasi grek, me inicialet S.E., 76 vjeç, i intubuar dhe shtetasi shqiptar me inicialet M.S., 58 vjeç, i cili nuk ishte i intubuar." thuhet në raportin hetimore.

Në një moment në dhomë ku ndodheshin dy pacientët, futen infermieret dhe panë se 76 vjeçari ishte në gjendje kritike dhe thirrën mjekët. Por ato panë gjithashtu se pajisja e intubimit ishte prekur dhe më tej kuptuan se të ndjerit i ishte hequr tubi me të cilin merrte frymë dhe mbahej në jetë.

Infermierët dhe mjekët zbuluan se kishte një ndërhyrje në makinerinë me të cilën ishte lidhur 76-vjeçari fatkeq dhe njoftuan policinë.

Presidentja e spitalit, Voula Georgaki, duke folur sot mbi ngjarjen tha se sapo mjekët kuptuan gjendjen e 76-vjeçarit, ata menjëherë u hodhën në betejë për ta mbajtur atë gjallë. Pak minuta më pas pacienti vdiq.

Georgaki tha se ky ishte një krim i paimagjinueshëm. Ajo tha prerë se kemi të bëjmë me vrasje me viktimë një pacient të intubuar 76-vjeçar nga një pacient tjetër 58 vjeçar, në gjendje të mirë pas infektimit nga Covid-19.

Ajo po ashtu, vuri në dukje se 58-vjeçari shqiptar menjëherë pas vdekjes së 76-vjeçarit, u ekzaminua nga dy psikologë të spitalit "dhe u zbulua se ai nuk kishte ndonjë sëmundje psikiatrike".

Sidoqoftë, sjellja e 58-vjeçarit me pacientin 76 vjeçar, gjatë pesë ditëve që ishte shtruar në spital dhe qëndruan bashkë në dhomë, nuk la asnjë dyshim se ai mund të bënte një veprim të tillë.

Në hetim aktualisht është dhe fakti se 76-vjeçari, megjithëse ishte i intubuar, ndodhej në një dhomë të thjeshtë spitali, së bashku me 58-vjeçarin, me origjinë shqiptare, i cili ishte në gjendje relativisht të mirë.

Policia tha se 58-vjeçari për arsye që ende nuk janë të qarta, ndërhyri në ventilator, me rezultat që 76-vjeçari t’i nënshtrohej vdekjes. Një dyshim është se pacienti shqiptar mund të mos ketë duruar dot zhurmën e ventilatorit dhe bombolave. Një tjetër dyshim është nëse i ndjeri ka folur para se të ndodhte kjo, me pacientin shqiptar dhe nëse që të dy ishin në dijeni të asaj që po ndodhte. Gjithsesi hetimi vazhdon. /noa.al