Transmetuar më 09-04-2021, 19:48

Ambasadorja Yuri Kim sot gjatë Aktivitetit të USAID “Drejtësi për të gjithë” u shpreh edhe një herë e qartë se SHBA mbështet Reformën në Drejtësi, madje ajo e lidhi atë me anëtarësimin e vendit tonë në BE.  Është një mesazh i qartë  nga ndërkombëtarët para zgjedhjeve të 25 prillit, nisur edhe nga mundësia e ndonjë  kompromisi të mundshëm mes forcave dhe faktorëve kryesorë të politikës, që mund ta sabotojnë atë.

"Më lejoni të jem e qartë: SHBA. e mbështet plotësisht reformën në drejtësi të Shqipërisë dhe aspiratat e anëtarësimit të saj në BE”, – tha Kim në mesazhin e saj.

Me zgjedhjen e Joe Biden President, duket se është forcuar edhe më shumë mbështetja e administratës amerikane për të çuar para me çdo kusht dhe pa asnjë kompromis Reformën në Drejtësi, në vendin tonë.

“Ne jemi me ju krah për krah. Unë jam angazhuar personalisht si përfaqësuese e Presidentit të Shteteve të Bashkuara për të bërë gjithçka që mundem për të promovuar këtë reformë si një mjet për të arritur një të ardhme më të drejtë, më demokratike dhe më të sigurt për shqiptarët”, tha Kim.

Kujtojmë se Reforma në Drejtësi është një projekt i financuar dhe i mbështetur kryesisht nga SHBA dhe si në ç’do projekt tjetër amerikanët e kanë të vështirë, thuajse edhe të pamundur të pranojnë dështimin.

“Projekti “Drejtësi për të gjithë” ka qenë njëri prej angazhimeve të shumta të SHBA-ve për të mbështetur reformën në drejtësi të Shqipërisë. Mbështetja jonë do të vazhdojë", tha Ambasadorja Yuri Kim sot gjatë Aktivitetit të USAID “Drejtësi për të gjithë”, i cili shënoi përparimet në reformën në drejtësi.

/a.m/NOA.al